Gjykata e Tetovës nuk përgjigjet pse ende nuk është në gjende të rregullojë zërimin

Disa ditë pasi Portalb.mk raportoi për mungesën e zërimit (altoparlantëve dhe mikrofonave funksional) në seancat gjyqësore me interes publik dhe për ankesat e gazetarëve pasi kishin vështirësi për të dëgjuar mirë folësit, Gjykata e Tetovës për Portalb.mk tha se ky problem është zgjidhur. Por, seancën e fundit gjyqësore për rastin e zjarrit në spitalin modular, situata ishte e pandryshuar, altoparlantët në sallë nuk ishin të lëshuara. Gjykata ende pa përgjigje për këtë se përse nuk punuan të njëjtat, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk me 19 maj shkroi për ankesat e gazetarëve të rajonit të Tetovës të cilët ankoheshin se në seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Tetovës nuk dëgjojnë mirë folësit pasi nuk ka pajisje funksionale për zërim në altoparlantë, kjo për ta përbën problem pasi nga mosdëgjimi i duhur mund të përcjellin informacion të gabuar.

Pas kësaj, para një jave (26 maj 2023) Gjykata Themelore e Tetovës pas pyetjeve gazetareske të Portalb.mk në lidhje me atë se përse nuk vihen në funksion altoparlantët dhe mikrofonët që gazetarët të dëgjojnë më mirë, njoftoi se ky problem është zgjidhur.

“Ju njoftojmë se të njëjtët janë vënë në funksion”, thanë nga Gjykata e Tetovës për Portalb.mk.

Megjithatë, në fillim të javës (29 maj 2023), gazetarët ishin përsëri në një seancë të interesit publik, atë të rastit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, ku situata ishte e pandryshuar. Pavarësisht se nga gjykata na u tha se zërimi është vënë në funksion, kjo nuk mund të shihej në praktikë.

Portalb.mk u drejtua përsëri te Gjykata e Tetovës se pse të njëjtat nuk ishin në funksion dhe nëse ka pasur ndonjë problem teknik apo çfarëdo që ka qenë problemi, por nga ky institucion nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske deri në publikimin e këtij shkrimi.

Mikrofon në sallën gjyqësore në Gjykatën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mikrofon në sallën gjyqësore në Gjykatën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk