Civil për parregullsitë zgjedhore: Transport i organizuar dhe marrje e të dhënave nga qytetarët para votimit

Persona që ua kanë marrë të dhënat qytetarëve para se të votojnë, fotografim i fletëvotimeve, transport i organizuar i votuesve, janë disa nga parregullsitë që kanë vërejtur monitoruesit e organizatës Civil, transmeton Portalb.mk.

“Kemi një situatë, të cilën konsiderojmë që është n njëfarë mënyre më e rëndësishme të theksohet dhe kjo është parregullsi sipas nesh dhe përbën sjellje joligjore dhe joetike. Para një vendvotimi në Shkup, dy aktivistë partiak qëndrojnë para vendvotimit, shkollë në këtë rast, ua marrin letërnjoftimet votuesve që vijnë dhe ua shënojnë të dhënat në telefon, pastaj i lëshojnë të votojnë.Kur kanë vërejtur që po u afrohet monitoruesi ynë, ata kanë ndërprerë këtë veprim, megjithatë nuk përjashtohet që një praktikë e tillë ka edhe në vedne të tjera në vend. Në këtë rast ju bëjmë thirrje qytetarëve që askush nuk ka të drejtë tua marrë te dhënat”, njoftoi Xhabir Deralla nga Civil.

Një qytetare ka fotografuar fletën e votimit, pastaj ka folur në telefon në vetë qendrën e votimit dhe kryetari i këshillit zgjedhor ka lajmëruar policinë pasi është vepër e kundërligjshme. Votuesi, gjegjësisht qytetarja grisi fletën e votimit dhe këshilli zgjedhor e regjistroi si ishte fletë të pavlefshme, përkatësisht vota e saj është e pavlefshme.

“Në Koçan dhe në Shkup ka raste të transportit të organizuar të votuesve. Në të njëjtën kohë, në një vendvotim në Shkup ka një grup prej saktësisht 40 qytetarësh të cilët kanë votuar, e të cilët fillimisht kanë pritur para vendvotimit dhe pastaj një nga një kanë votuar dhe pasi kanë votuar të gjithë janë mbledhur përsëri në një vend dhe të gjithë së bashku kanë shkuar në selinë e një partie politike”, tha Deralla.

Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot votojnë për presidentin e vendit. Kutitë e votimit janë hapur që në orën 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 19:00. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758  votues janë të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Në garë janë 7 kandidatë, kurse këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale.