Besarta Murtezani: Nuk ka muzikë të keqe, ka njerëz të këqij që bëjnë zhurmë

Ajo i do fort këngët shkodrane ndaj dhe përgatiti një koncert me jaret e famshme ku mysafire kishte artisten e madhe nga po ky vend, Sebahate Vishnjen. I do fort dhe këngët arbëreshe, por fatkeqësisht projekti i saj nuk u përkrah që të vihej në skenë. E adhuron folklorin dhe traditën rekase dhe në përgjithësi etno- folklorin shqiptar. Një adhuruese e madhe e arteve në përgjithësi. Ëndrra e saj për aktrimin u prek pak në shfaqjen “ Borgjezi fisnik “ që u realizua nga Teatri i Tetovës, ëndrrat tjera disa janë realizuar e disa ngelen përpara. Një jetë kushtuar arsimit, koncerteve, projekteve me po të njëjtën dashuri. Ka kryer dy fakultete, për teori muzike dhe solo- këndim. Por, cilat janë planet e afërta dhe si duken shijet muzikore sipas saj, flet hapur për Portalbin.

Foto nga arkivi personal i Besarta Murtezanit
Foto nga arkivi personal i Besarta Murtezanit

 

Ç’mësim keni nxjerr gjatë kohës sa u morët me arsimimin e (veshit) të gjeneratave të reja me muzikë?

Besarta Murtezani: Kam filluar shumë herët me mësimdhënie, sapo kisha filluar studimet për vete duhej t’i mësoja tjerët. Kishte mungesë kuadri në atë kohë, ndaj si 19 vjeçare nuk dalloja shumë nga nxënësit e mi. Më duhej të mësoja një periudhë bukur te mirë të ditës dhe natës për përgatitjen e orës mësimore po ashtu edhe për studimet që ndiqja në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Tetovës. Fitova shumë shpejt autoritet tek fëmijët dhe besim te prindërit për punën që beja. Gjithë ai përkushtim e gjithë ajo dashuri domosdo do më kthehej, është rregull i natyrës (qesh). Ndonëse modelin më të mirë pedagogjik e kisha marrë pahetueshëm nga im atë mësues, pak nga ime më dhe një numër i mirë i familjarëve të afërt mësues qe kemi. Aq sa më kishte mësuar shkolla që bëja, dyfish më ka mësuar eksperienca me fëmijët, ndaj e konsideroj profesionin më të shenjtë dhe më me përgjegjësi ndër profesionet. Nuk di të ndaloj kur me drejtohet pyetja për mësimdhënie dhe po me lejuat të flas pa limit, kjo intervistë mund të kthehet në një monolog të gjatë për këtë profesion, i cili hë për hë më mungon.

Të mungon thua?

Besarta Murtezani: Po. Më mungon shumë dhe tash tek shkruaj jam e përlotur pasi më mungon tingëllima e zërave fëmijërorë, më mungon sinqeriteti i tyre, më mungon puna me ta të cilën e konsideroja si terapi dhe farmaci shpirtërore. Ansambli ishte diçka të cilën e kishim ëndërruar si komunitet dhe më duhej të jepja pak kontribut edhe nga kjo anë. Edhe pse mungesa ime për nxënësit do ishte vetëm në klasë, pasi unë i kisha dhënë fjalën e emrit, kisha dhënë Besën e Artë vetes se nxënësit e mi, familjarët, prindërit dhe qytetarët do t’i bëja të krenoheshin me mua, sidomos nxënësit para të cilëve ndjeja përgjegjësi të madhe. Ajo përgjegjësi më ndjek edhe sot e kësaj dite, prandaj jam shumë e kujdesshme në çdo dalje, pasi ata ende marrin nga çdo paraqitje e imja. S’ka kënaqësi më të madhe se kur ndjen frymën tënde në gjeneratat e reja.

Të kemi parë të performosh përkrah divës Ermonela, së shpejti dhe në festivalin e Ramë Lahajt? Ç’mbresë ngjall këndimi afër këtyre emrave?

Besarta Murtezani: Ermonela është ndër frymëzimet më të bukura të çdo artisti në botë, ne shqiptarët e kemi dozë të dyfishtë, frymëzimi dhe krenarie, pasi ajo është shqiptare. Ermonela artistët e rinj shqiptarë i ka pikë të dobët, pasi gjithmonë niset nga vetja dhe nga rrugëtimi i saj. Të ndaja skenën me Ermonela Jahon ishte ëndrra ime më e bukur e realizuar. Ermonela është shembulli më i denjë i artistit të madh dhe modest, jo më kot ajo ende qëndron në maja, pasi në çdo dalje ajo le një copë shpirti në skenë. Atë që e jep në skenë, dyfish e jep në prapaskenë kur takon artistë dhe njerëz të thjeshtë. Modestia është virtyti më i lartë për një artist botërorë dhe Ermonela është shembulli më i denjë si duhet rrugëtuar pa harruar asnjëherë nga erdhe dhe si u ngjite majave.

Ramë Lahaj është një tjetër zë i cili gjithë andej nëpër botë na bën krenarë. Një shqiptar nga një vend i vogël si Kosova i cili botës së artit i ka dhënë dhe po i jep akoma. Përveç një tenori me famë botërore ai është dhe shumë atdhetar dhe për dy vite me radhë ai përmes festivalit “Ramë Lahaj Internacio-Opera Festival” në Kosovën e vogël sjell botën e madhe të artit operistik. Në edicionin e sivjetmë jam e ftuar të këndoj në mbrëmjen kushtuar divës tonë, bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarushës, ku edhe një herë ndjej shumë përgjegjësi si soprano e ftuar e shqiptareve të kësaj ane.

Princip bazë cilin e ke?

Besarta Murtezani: Asnjëherë nuk marr përsipër diçka që nuk më përmbush shpirtërisht dhe nuk e dashuroj me zemër prandaj çdo herë menaxhoj faktorin kohë, faktorin më të rëndësishëm të ngritjes profesionale.

Njëzet vite bashkëpunimi me studion e Virusit ku i bëni zërat shoqërues ose siç quhen ndryshe “back vocals”, ç’ përvojë keni marrë?

Besarta Murtezani: Nuk di a do mësoja në ndonjë akademi ato që më ka mësuar përvoja në këtë studio dhe me ketë artist të jashtëzakonshëm. Shkolla e këndimit të mëson këndimin e bukur dhe të impostuar, ndërsa atë që me ka mësuar eksperienca me Virusin në studion e tij “Pro- sound “ për vokalet përcjellëse është matematikë shpirtërore muzikore. Kur më pyesin nga vjen, mezi pres të them“ nga qyteti i Elitës 5 “. Është një përvojë e gjatë, për njëzet vite bashkëpunim te Virusi kam përcjellur me zërin tim mbi 1200 këngë mes tyre dhe vet këngët e grupit “Elita 5”.

 Sa i rëndësishëm është motivimi i një artisti? Sa ju ndiheni e motivuar?

Besarta Murtezani: Mbështetja kolegiale është ndihma, motivi dhe virtyti me i lartë që mund të ketë një artist, mbi të gjitha para se të jemi artistë, ne jemi qenie humane. Shpesh gjatë rrugëtimit profesional edhe rrëzohemi dhe kurrë nuk kam harruar mbështetjen që më është ofruar nga kolegët, mbështetje dhe motivim i cili me është gravuar në shpirt, prandaj për çdo përjetim nisem nga përvojat e mia dhe të ndihmosh, motivosh dhe të mbështesësh në rrugëtimin profesional një artist mendoj se na afron më afër të vërtetës, më afër asaj që Zoti do që ne të jemi.

Foto nga arkivi personal i Besarta Murtezanit
Foto nga arkivi personal i Besarta Murtezanit

 Nga po shkon shija jonë kolektive muzikore dhe jo vetëm muzikore?

Sa do të doja ta kaloj këtë pyetje pasi me shpie tek një realitet i cili nuk më jep energji dhe ndjesi të mirë. Nuk ka muzikë të keqe ka njerëz të këqij që bëjnë zhurmë, zhurmë e cila ndikon shumë keq në edukimin e fëmijëve me tekstet vulgare dhe paraqitjet skandaloze nëpër videoklipe, zhurmë kjo e cila për një sezon vdes dhe nuk dëgjohet më, vetëm se ka lënë njollë të keqe te dëgjuesi.

 

Kush ka ndikuar që Besarta të jetë kjo që është?

Besarta Murtezani: Në fillim kam pasur hatërmbetje me tim atë kur më ka punësuar për herë të parë, pasi më lëshoi të rrugëtoja vetëm në një profesion shumë të rëndë dhe me shumë përgjegjësi, siç është profesioni i mësueses dhe kjo pa dyshim më ka bërë shumë të përgjegjshme, më ka bërë t’i shoh gjërat me vizion të largët, për të cilin më duhet ta falënderoj babain tim sot dhe mbase t’i kërkoj një ndjesë. Kjo më ka ndihmuar më vonë, planifikimi, nëse nuk i planifikoj gjërat para kohe më kap huti dhe panik. Rregullsia që të jep pedagogjia ta vështirëson jetën, por ta lehtëson punën.

 Cilat këngë i keni më të përzemërta? Ose që të ngjallin kujtime?

Besarta Murtezani: Si të vegjël në shtëpinë tonë është dëgjuar shumë muzikë e bukur shqipe, kur vinte koha e spektaklit “12 yje në Hollywood” i udhëhequr nga Adi Krasta dhe Festivali i këngës ne RTSH ne ishim me fletore dhe laps në dorë për të vlerësuar dhe për të qenë sa më afër çmimit të parë. Pastaj, çdo udhëtim është shoqëruar me kasetat e këngëve te mirëfillta shqipe që kishte babi në veturë, madje, në vend të ninullave babi na këndonte “Vin vaporat”, “Sylçe Begun”, “Karanfilat që ka Shkodra” dhe nëna na tregonte përralla edukative popullore të cilat edhe sot i mbaj mend fjalë për fjalë. Pa e vërejtur, me kalimin e kohës muzika popullore më ishte shndërruar në dashuri. Në mungese të institucioneve shtetërore, gdhendjen dhe dashurinë e paskajshme rreth këngëve popullore e vazhdova në Sh.K.A. “Xheladin Zeqiri” në Tetovë dhe “Besa” në Gostivar. “Xheladin Zeqiri” gjithmonë do mbetet për mua shkolla dhe çerdhja e artit popullor shqiptar këtu te ne, kjo është dëshmuar dhe ende e dëshmon, prezenca e një orkestre të madhe e të rinjve, solistëve dhe valltarëve të cilët janë bërë si të varun për prova dhe paraqitje dinjitoze kudo që prezantohen.

Foto nga arkivi personal i Besarta Murtezanit
Foto nga arkivi personal i Besarta Murtezanit

 Në kohën e komercializimit, ju nuk shihni të përfitoni nga profesioni juaj, pse?

Besarta Murtezani: Për shumë arsye, por do e përmend vetëm një. Ajo që nuk më përmbush shpirtërisht nuk mund të me kënaq dhe materialisht. Ajo që sot të materializon të zbeh titullin mësues dhe figuren skenike, prandaj konsideroj se këto dy figura nuk ka çmim në botë që mund t’i kompensoj përveç shembullit rës që mund ta percjellësh në breza. Sot shpejt mund të përfitosh dhe të blesh pa e vërejtur se e ke shitur edhe veten.

Ç’do t’i thoshe një të riu që do të studioj muzikën?

Besarta Murtezani: Muzika është dhuntia me të cilën Zoti na ka bekuar, domethënë na ka veçuar nga qeniet tjera të cilave po ashtu si neve u dha jetë. Na ka veçuar edhe brenda llojit njerëzor. Dikë e ka bekuar me diç tjetër, secilit i ka dhënë diçka që duhet ta kërkoj brenda vetes. Atij që është i bekuar me këtë lloj dhuntie do t’i thosha ndiqi ëndrrat sado lart të të duken se janë varur ato.