“Parkingu i qytetit” Shkup prej nesër do të punojë me orar veror

Ndërmarrja publike “Parkingu i Qytetit” Shkup njoftoi se prej nesër (1 qershor) do të fillojë ora verore e punës së hapësirave publike të destinuara për parkim, të cilat i menaxhon ndërmarrja, transmeton Portalb.mk.

Nga nesër, orari i punës në zonat A, B, C dhe D do të jetë nga e hëna deri të shtunën – nga ora 7:00 deri në orën 23:00, pra qytetarët do të duhet të paguajnë dy orë më shumë për të përdorur shërbimet e parkimit në vend të orarit të deritanishëm dimëror të punës, që funksiononte deri në orën 21:00.

NP “Parkingu i qytetit” thekson se shfrytëzuesit e parkingjeve publike duhet të respektojnë ndryshimet, përkatësisht pagesa e parkimit të bëhet në kohën e caktuar, për të shmangur sanksionet e panevojshme.