Gërkovska: Nuk guxon të normalizohet gjuha që diskriminon dhe nxit dhunën 

“Historia na ka dhënë mësime të shumta për pasojat e përhapjes së organizuar të urrejtjes dhe në kontekstin e mundësive teknologjike që kemi sot, kjo çështje është bërë shumë më serioze”, theksoi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të mirëqeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, në konferencën e sotme “Shoqëri pa urrejtje: Punë e përbashkët dhe qëllim i përbashkët”, transmeton Portalb.mk.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska në fjalën e saj hapëse theksoi se është e nevojshme të ndërtohen qasje gjithëpërfshirëse dhe sa më të gjera për trajtimin e gjuhës së urrejtjes, e cila do të përfshijë të gjitha aspektet e problemit: rrënjët e urrejtjes, motivet e përhapjes dhe përdorimit të saj për qëllime të caktuara, trajtimi i dëmeve të individëve, grupeve, shoqërisë dhe rregullimeve demokratike në nivel global, si dhe rregullimi dhe sanksionimi.

“Është thelbësore të rritet ndërgjegjësimi për dallimet midis lirisë së fjalës dhe abuzimit të kësaj lirie për të diskriminuar, nënçmuar dhe nxitur dhunën kundër grupeve të tëra në shoqëri,” shtoi Gërkovska.

Ajo theksoi se problemi i gjuhës së urrejtjes nuk mund të zgjidhet me një masë apo ligj dhe se ballafaqimi me të duhet të jetë i vazhdueshëm, duke përfshirë të gjitha palët dhe duke inkorporuar praktikat dhe përvojat ndërkombëtare.

Këto dukuri që shkatërrojnë funksionalitetin dhe kohezionin e shoqërisë dhe që cenojnë stabilitetin, paqen dhe zhvillimin nuk duhet të anashkalohen, tha zëvendëskryeministrja, duke shtuar se nuk duhet lënë hapësirë ​​e pakufizuar për përhapjen e urrejtjes, e cila rezulton në dhunë dhe viktima.

“Ajo që do të doja t’i referohesha në mënyrë specifike është përgjegjësia personale, veçanërisht e atyre që kanë një ndikim të caktuar në mjedis dhe e përdorin atë ndikim dhe madje e forcojnë duke përhapur urrejtje. Një sjellje e tillë dhe një retorikë e tillë e politikanëve dhe personazheve publike është katalizator për ngarkesën negative në shoqëri”, theksoi Gërkovska dhe shtoi se çelësi është puna e përbashkët, e përkushtuar dhe e vazhdueshme në qëllimin e përbashkët – të sigurohet mbrojtje efektive nga gjuha e urrejtjes në kuadër të kornizës së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

“Ky ishte edhe konkluzioni i përbashkët i manifestimit të sotëm, i cili organizohet me rastin e promovimit të Rekomandimit të Komitetit të Ministrave për luftimin e gjuhës së urrejtjes në gjuhën maqedonase, ndërsa në kuadër të programit të Bashkimit Evropian dhe Këshillittë Evropës “Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, tha Gërkovska.

Në panel moreën pjesë edhe zvministrja e Ministrisë së drejtësisë Viktorija Avramovska Mandiq, Stefano Valentin, nga Këshilli i Evropës, deputetja Gordana Siljanovska Davkova, Aleksandru Albu, si dhe shefi i sektorit në Delegacionin e BE-së në Shkup.

Qëllimi i konferencës, siç thonë organizatorët është inkurajimi i dialogut ndërmjet aktorëve të ndryshëm në luftën kundër gjuhës së urrejtjes, si dhe të mundësojë forum për diskutimin e iniciativave që janë ndërmarrë deri më tani në përputhje me Rekomandimin, si dhe propozimet për aktivitete që do të shkonin në drejtim të zbatimit të tij, thonë organizatorët.

Rekomandimi i Komitetit të Ministrave për të luftuar gjuhën e urrejtjes u miratua në maj 2022 në Torino. Ndër të tjera, Rekomandimi u bën thirrje qeverive të shteteve anëtare të zhvillojnë strategji gjithëpërfshirëse për të parandaluar dhe luftuar gjuhën e urrejtjes, duke përfshirë sigurimin e një kuadri ligjor efektiv dhe zbatimin e masave të kalibruara me kujdes dhe proporcionale.