Para zgjedhjeve Kasami premtoi transport publik falas për gjithë qytetarët, pasi i mori votat i ndryshoi fjalët (Video)
Transporti publik në Tetovë nuk do të jetë falas për të gjithë qytetarët ashtu siç premtoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para zgjedhjeve. Pasi u rizgjodh në krye të komunës, Kasami i ndryshoi fjalët, transporti publik do të jetë pa pagesë vetëm për disa kategori të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.
Ndërmarrja për transport publik ‘Tetova Transport’ ka vënë në funksion biletat digjitale dhe kartelat me pagesë TEKlik Pripejd të cilat mund t’i përdorin qytetarët përmes aplikacionit TEKlik.
Transporti publik momentalisht do të jetë falas vetëm për nxënësit, shoqatat dhe institucionet që do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës, dhe qytetarët që i kanë shlyer detyrimet ndaj komunës dhe ndërmarrjeve publike.
I pyetur nga Portalb.mk se pse nuk e realizoi premtimin ashtu siç premtoi se transporti publik do të jetë falas për të gjithë qytetarët, Kasami tentoi të arsyetohet duke i ikur përgjegjësisë për premtimin e dhënë.
“Nuk e di për cilët qytetarë nuk është pa pagesë. Do t’i shlyejnë. Bëhet fjalë për një shërbim që e ofron komuna e Tetovës, që e ka koston e vet. ai shërbim ose do të paguhet nga qytetarët duke e marrë shërbimin, ose do të paguhet nga komuna, të hyrat e komunës janë taksat që i mbledh nga qytetarët pra nuk mund një qytetar i cili ka obligime ndaj komunës, nuk e paguan tatimin të marr një shërbim gatis. Ne flasim për qytetarë të cilët janë të ndërgjegjshëm për pozitën e tyre, ose do ta paguajë me biletën që e shfrytëzon shërbimin ose do paguajë taksën dhe përmes taksës komuna do t’i ofrojë shërbim gratis. Nuk e di që në ndonjë vend të botës ka ndonjë shërbim për qytetarët të cilët nuk i kryejnë obligimet e tyre qytetare”, tha Kasami.
Gjatë fushatës parazgjedhore, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtoi transport publik falas për të gjithë qytetarët.
Të njëjtin premtim ai e përsëriti edhe në daljen e tij të parë pas marrjes së mandatit.
Ndërsa më 30 dhjetor 2025 Këshilli Komunal vendosi që transporti publik të jetë falas për nxënësit, shoqatat dhe institucioneve që do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës, si dhe të gjithë qytetarët që i kanë shlyer detyrimet ndaj komunës.
Kujtojmë që mandatin e kaluar Kasami premtoi gjithashtu parking pa pagesë, por kjo nuk u realizua, parkingu ishte pa pagesë vetëm dy javë.
- LEXO: Nxënësit në Tetovë do mund ta shfrytëzojnë transportin publik pa pagesë
- LEXO: Këshilli komunal e votoi, transporti publik në Tetovë do të jetë falas për qytetarët që nuk i kanë borxh komunës
- LEXO: Kasami nuk e mban ritmin e premtimeve: Transporti falas nuk u fut në rend dite as pas katër seancave