Nxënësit në Tetovë do mund ta shfrytëzojnë transportin publik pa pagesë

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë do të mund ta shfrytëzojnë transportin publik pa pagesë, raporton Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike ‘Tetova Transport’ njoftoi se nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të përfshirë në listat e dorëzuara nga shkollat, se kartelat RFID për transport publik mund të merren nga sot deri ditën e premte (30.01.2026) në zyrat e NP “Tetova Transport” nga ora 08:00 deri në ora 16:00.

“Nxënësit e shkollave fillore kartelën duhet ta marrin personalisht me shoqërimin e një prindi/kujdestari, duke paraqitur dokument identifikimi (pasaportë ose certifikatë lindjeje). Nxënësit e shkollave të mesme, kartelën mund ta marrin personalisht, duke paraqitur dokument identifikimi (pasaportë, letërnjoftim ose certifikatë lindjeje)”, thanë nga ‘Tetova Transport’.

Kjo vjen pasi më 30 dhjetor 2025  Këshilli Komunal vendosi që transporti publik të jetë falas për nxënësit, shoqatat dhe institucioneve që do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës, si dhe të gjothë ata që kanë shlyer detyrimet ndaj komunës.

Ndryshe, gjatë fushatës parazgjedhore, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtoi transport publik falas për të gjithë qytetarët.

Të njëjtin premtim ai e përsëriti edhe në daljen e tij të parë pas marrjes së mandatit.

Megjithatë, transporti publik nuk është bërë pa pagesë ende për të gjithë qytetarët.