Paqe, unitet dhe zhurmë

Dita e Europës është një simbolikë e bukur për paqen dhe unitetin mbikombëtar. Ajo shënohet edhe në vendet që mëtojnë të bëhen pjesë e BE-së. Në manifestime nuk mungojnë zyrtarët lokalë, që krijuan klimë frymëzënëse, e cila ndikoi në largimin e shumë të rinjve nga vendi.

Për këta zyrtarë, Europa është vetëm Brukseli. Europa është më shumë se kaq. Ajo është frymë shpirt, vlerë, kulturë, qytetërim, diversitet, solidaritet, bashkëjetesë, rend, dialog, demokraci, kompromis, meritë, shpresë dhe vizion.

PROJEKTI QË PËRSOSET. Europa e ripërtërirë ndër shekuj është projekt i pakryer që përsoset në vazhdimësi. Ajo është rrjedhojë e një trashëgimie shumëshekullore, kurse vizioni i saj mbështetet tek angazhimi për identitet të përbashkët, por pa u cenuar larmia kulturore.

Europa shpesh është tronditur edhe nga luftërat e krizat e tmerrshme, por ka ndryshuar duke i përmirësuar gabimet e saj.

“Kush dëshiron të bëhet pjesë e kësaj fryme, përveç shumë gjërave të tjera, duhet të kalojë edhe në pagëzimin e zjarrtë të përballjes morale dhe ekzistenciale me Holokaustin”, tha nobelisti Imre Kertesz.

Nuk mund të mohohet as fakti se Europa shpesh ka qenë e padrejtë edhe me popujt e vegjël.

DIVERSITET, DIALOG DHE SHKËMBIM. Europën e duan ata që shqetësohen vazhdimisht për fatin e saj dhe jo oratorët që i ëndërrojnë vetëm fondet europiane, por pa bërë asgjë për t’i merituar.

Europën e duan kritikuesit e përgjumjes së politikanëve europianë. Janë ata që e paralajmëruan gjendjen e sotme edhe pse elitat politike, të përqendruara te pushteti, e harruan vizionin paneuropian.

EUROPA JUGLINDORE. Zyrtarët e Bashkimit Europian sot e theksojnë gjithnjë e më shumë gatishmërinë për hapje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, një rajon që është pjesë e Europës si territor, si histori dhe si kulturë, prandaj s’duhet të shihet më si “Europë e egër” apo si “Europë tjetër”.

Në Ballkan ka elita që nuk ndajnë vlera të njëjta si të BE-së dhe elita që vetëm deklarojnë se angazhohen për integrimin europian, por kësi elitash ka edhe brenda shteteve të BE-së.

Banorët e Europës Juglindore nuk janë as më të zgjuar, siç ndodh ta projektojnë veten, por as më të paaftë sesa europianët perëndimorë. Studiuesja Maria Todorova, autorja e librit “Ballkani imagjinar”, tha se ky rajon nuk është as më i mirë dhe as më i keq se pjesa tjetër e Europës. Ajo ka hedhur poshtë edhe krahasimin ndërmjet “orientalizmit” dhe “ballkanizmit”, si burim paragjykimesh, që janë theksuar edhe nga teoricienë të problemeve historike dhe socio-kulturore. Këto dy kategori, thotë Kathryn E. Fleming, përfundimisht nuk janë identike.

Gjithashtu, banorëve të këtij rajoni duhet t’u bëhet me dije se do të jenë pjesë e Europës vetëm kur ta ngjallim brenda qenies së tyre shpirtin e europianizmës. Këtë e theksuan mendimtarët shqiptarë të Rilindjes Kombëtare dhe ata të fillimit të shekullit XX.

KUMTE DËSHPËRUESE PËR VITIN E HUMBUR. Në Ditën e Europës duhet të jemi edhe vetëkritikë dhe t’u kushtojmë vëmendje kumteve që trajtojnë pozitën ndërkombëtare të vendit. Një kumt që kaloi në heshtje, për shkak të zhurmës së përditshmërisë politike, lidhet me intervistën e eurodeputetit dhe raportuesit për RMV në Parlamentin Europian Tomas Waitz. Ai tha se në Maqedoninë e Veriut nuk ka përparim dhe reforma. Sipas tij, nuk është problem vetëm mospërfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, si kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE, por edhe mosrealizimi i agjendës së reformave. Waitz-i theksoi se vendi ka probleme me garantimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe gjyqësorin e pavarur, që do të duhej të garantonte drejtësi për qytetarët e bizneset dhe për zhvillimin ekonomik.

Duke mos lënë vend për interpretime, ai tha se përparimi i vendeve matet sipas meritës dhe veçoi Shqipërinë si shtet që përparon më shpejt në këtë proces. Porositi se vendi ka gjasa të përparojë bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi gjatë këtij mandati të Parlamentit Evropian, por vetëm nëse angazhohet seriozisht në reforma.

“Fatkeqësisht, nuk shoh vullnet politik për reforma serioze, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Është humbur një vit i tërë. Megjithatë, unë do të vazhdoj të mbështes rajonin”, tha Waitz.

Këto deklarata duhet të merren në konsideratë dhe jo të kontestohen nga zyrtarët e lartë të shtetit, të cilët po sillen ndaj bashkësisë europiane si të ishin faktorët kryesorë për çështjet ndërkombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.