Rruga Tetovë – Prizren promovohet vazhdimisht, por tuneli zvarritet: Ende nuk dihet kur do të hapet tenderi

Pavarësisht promovimit dhe lavdërimit nëpër rrjete sociale të funksionarëve shtetëtorë për rrugën Tetovë – Prizren, projektimi i tunelit të përbashkët, pjesës më kritike të projektit dhe hapja e tenderit vazhdojnë të zvarriten, pa afat se kur do të përfundojë, shkruan Portalb.mk.

Qarkoja e rrugës Tetovë Prizren, do të lidhet nga rruga e Kodrës së Diellit, ndërsa pritet të përfundojë para tunelit në fshatin Bozovcë.

Pikërisht projektimi i këtij tuneli po zvarritet dhe nuk ka detaje konkrete se kur do të jetë gati dhe të shpallet tenderi.

Nga kabineti i zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqirit për Portalb.mk theksojnë se janë duke punuar bashkë me palën kosovare në pjesën që lidhet me tunelin ndërkufitar.

“Sa i përket tunelit, aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së projektimit. Projekti po përgatitet nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup, në bashkëpunim me NPRRSH-në, ndërsa hapi i radhës është hapja e tenderit për projektimin e tunelit. Për këtë qëllim, NPRRSH në buxhetin e vet ka paraparë rreth 2 milionë euro për projektimin”, thonë nga kabineti i zëvendësministres.

Duke mos dhënë afate konkrete, nga aty thonë se pritet që procedura e tenderimit të hapet së shpejti, pasi për këtë tashmë është dhënë edhe drita jeshile.

“Pas përfundimit të projektimit do të mund të përcaktohen në mënyrë precize edhe vlera e investimit për ndërtimin, mënyra e financimit dhe pjesa që do të mbulohet nga secila prej dy qeverive. Pra, për momentin është shumë herët të flasim për një vlerë përfundimtare të ndërtimit apo për fillimin e punimeve, por procesi po ecën dhe në një afat të shkurtër pritet të kemi hapa konkretë”, thanë nga kabineti i Zekolli Shaqirit.

Para pak javësh, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e dha, siç e quajtën “lajmin e madh’ për fillimin e segmentit të rrugës Tetovë-Prizren që kalon mbi fshatin Shipkovicë. Segmenti të cilit i referohet Kasami është mbi fshatin Shipkovicë nga rruga Tetovë – Kodra e Diellit ku e njëjta pritet të vazhdojë mbi fshatrat Brodec, Veshallë deri në Bozofcë, ndërsa pjesa tjetër e rrugës pritet të zgjerohet.

Kujtojmë se pas shumë zvarritjeve, në prill 2025 u formua grupi i përbashkët i punës midis RMV-së dhe Kosovës për këtë projekt. Paraprakisht, nga Ministria e Transportit të RMV-së kanë bërë të ditur se është ndarë buxheti për fazën e projektimit të tunelit. 

Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.