Pajisje dhe aparate të reja, po modernizohen sallat kirurgjikale në spitalin e Tetovës

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, së bashku me Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot kanë bërë një vizitë pune në Spitalin klinik në Tetovë. Qëllimi i vizitës ishte hapja e repartit të onkologjisë, si dhe promovimi i repartit të rinovuar të radiologjisë dhe sallës së konferencave. Ministri Mexhiti theksoi se brenda institucionit deri më tani ka funksionuar vetëm klinika e onkologjisë dhe si risi me repartin e ri përpiqemi që të lehtësojmë radhët e gjata të pritjeve dhe frekuentimin e lartë të pacientëve në Klinikën e Onkologjisë, transmeton Portalb.mk.

“Përveç përmirësimit të infrastrukturës, spitali është i pajisur edhe me dy aparate rentgeni dhe një mamografi me mundësi stereotaksi dhe densitometri, të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Mexhiti.

Ai theksoi se si ministër i Shëndetësisë dhe mjek shumëvjeçar, së bashku me ekipin janë fokusuar në përmirësimin e kushteve spitalore të pacientëve me dhoma krejtësisht të reja të pajisura dhe pajisje bashkëkohore mjekësore.

“Me këtë krijojmë kushte të përshtatshme edhe për punën e stafit shëndetësor, të cilët me përkushtimin dhe këmbënguljen e tyre ndër vite kanë treguar se janë plotësisht të përkushtuar në kujdesin dhe trajtimin e pacientëve. I shpreh mirënjohje drejtorit, dr. Ilir Demiri, për menaxhimin e shkëlqyer të objektit shëndetësor, për investimin në përmirësimin e kushteve të punës dhe qëndrimit në spital, si dhe për investimin në personelit mjekësor, tha Mexhiti.

Përveç Mexhitit dhe Pendarovskit, spitalin klinik në Tetovë e vizituan edhe  e Shëndetësisë Maja Manoleva dhe me ud Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Asaf Abduramani ku takuan drejtorin Ilir Demiri.

“Në takim u shpreh kënaqësia me përkushtimin e fuqishëm të institucioneve kompetente për përmirësimin e kushteve spitalore dhe të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Tetovës, rajonit dhe mbarë vendit. Në këtë drejtim, bashkëbiseduesit diskutuan edhe për nevojën urgjente të punësimit të personelit të ri mjekësor, si në spitalin e Tetovës, ashtu edhe në spitalin e Shtipit dhe Manastirit”, njofton kabineti i presidentit.

Presidenti vizitoi repartin e ri të Onkologjisë, i cili është vënë në përdorim që sot, repartin e radiografisë në të cilin janë instaluar dy aparate digjitale të sofistikuara, klinikën e rinovuar të spitalit, si dhe dhomat e reja që në mënyrë të konsiderueshme është zgjeruar ambienti për hospitalizimin, terapinë dhe trajtimin e pacientëve.

Presidenti Pendarovski ka vizituar edhe shtëpinë e familjes së njohur Palloshi nga Tetova. Në takim, presidenti theksoi kontributin e individëve të shquar nga kjo familje, të cilët lanë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin kulturo-historik dhe arkitektonik të Tetovës. Duke paraqitur hanin e tyre me vlerë muzeale, të ndërtuar dy shekuj e gjysmë më parë, mikpritësit iu referuan të kaluarës së afërt kur ndërtesa ishte shtëpia e shumë brezave të Palloshëve.