Koalicioni kombëtar i OJQ-ve për klimën: T’i largojmë njerëzit nga zona e rehatisë dhe t’u japim shpresë për veprim kolektiv

Realizimi i politikave me interes publik në të gjithë sektorët, e veçanërisht në sektorët që janë të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, duhet të ndodhë në një proces në të cilin përfshihen të gjithë aktorët. Ky ishte mesazhi kryesor nga takimi i sivjetshëm i koalicionit klimatik të organizatave të shoqërisë civile, transmeton Portalb.mk.

Më 15 dhe 16 dhjetor, në Shkup u mbajt takimi vjetor i Koalicionit Kombëtar për Klimën e organizatave civile që punojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Qëllimi i takimit ishte përmbledhja e punës së organizatave të shoqërisë civile nga sektorët e mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike në periudhën e kaluar.

“Organizatat civile janë një shtytës kryesor i përpjekjeve globale për të arritur neutralitetin e karbonit. Ndërsa qeveritë, bizneset dhe akademia kanë role të rëndësishme për të luajtur, shtytja për të ndryshuar praktikat e paqëndrueshme, duhet të vijë nga poshtë lart, t’i largojnë njerëzit nga zonat e tyre të rehatisë dhe të komunikohet se ka shpresë në veprimin kolektiv, dhe kjo është diçka që sektori civil e bën më së miri”, tha ambasadorja e Suedisë, Ami Larsson Jain.

Ana Çoloviq Leshoska, drejtoresha ekzekutive e Ejo-svest, tha se Koalicioni për Klimën ka treguar qartë se është një rrjet aktiv që vazhdimisht monitoron aktualitetin dhe është i gatshëm të reagojë së bashku, si korrigjuese e qeverisë në proceset kyçe që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë takim dyditor, Koalicioni Kombëtar për Klimën punoi për përgatitjen dhe miratimin e qëndrimeve dhe kërkesave të përbashkëta për zhvillimet aktuale në sektorin e klimës dhe energjisë, por edhe për Planin Strategjik të Punës 2025-2030 të koalicionit dhe planifikimin e aktiviteteve dhe hapave të së ardhshëm.

Koalicioni për Klimën është rrjeti më i madh informal i më shumë se 70 organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve që punojnë në përshtatjen dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Puna e Koalicionit Klimatik të OJQ-ve dhe takimi vjetor mbështetet përmes projektit “Organizatat civile në veprim për ndryshime klimatike” financuar nga Qeveria e Suedisë, i zbatuar nga Eko svest, Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj (ShMJR) dhe Organizata për lidhjen e vlerave natyrore dhe njerëzve (CNVP Maqedoni).