Komiteti i Helsinkit: Ndalimi i tubimeve dhe protestave paqësore para Kuvendit të RMV-së në kundërshtim me Kushtetutën

Ndalimi i tubimeve dhe protestave paqësore para Parlamentit është në kundërshtim me Kushtetutën, reagoi Komiteti i Helsinkit pas shpalljes së projektligjit. Një projektligj për shpalljen e zonës përreth Parlamentit si zonë sigurie është vënë në shqyrtim në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Projektligji u paraqit me procedurë të shkurtuar, transmeton Portalb.mk.

Komiteti shton se lgji parashikon kufizime serioze në zonën përreth shtëpisë legjislative, duke përfshirë ndalimin e protestave, tubimeve publike dhe fluturimeve me dronë, si dhe aktiviteteve të ndërtimit dhe instalimit të infrastrukturës. Justifikimi për këtë ligj është se po miratohet për arsye sigurie.

“Projektligji thotë se është një aspekt sigurie, i cili është me interes publik, kështu që lind pyetja se pse ka një nxitim të tillë për të miratuar këtë ligj dhe pse Parlamenti nuk organizoi një dëgjim publik dhe një debat më të gjerë.
Ky ligj po miratohet me procedurë të shkurtuar dhe tregohet se do të hyjë në fuqi në të njëjtën ditë që miratohet. Nuk është e qartë pse Parlamenti këmbëngul që ligji të hyjë në fuqi që nga momenti i publikimit të tij, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese, në disa raste të mëparshme, ka shfuqizuar ligje pikërisht për shkak të mungesës së justifikimit të mjaftueshëm kur thirret në përjashtimin e përmendur në Kushtetutë që një ligj të hyjë në fuqi në ditën e publikimit të tij”, thuhet në reagim.

Ata shtojnë se është e pakuptueshme pse justifikimi për miratimin e ligjit thotë se në zonën e sigurisë përreth Parlamentit është e ndaluar të mbahen tubime publike, protesta ose demonstrata nëse arsyeja kryesore për miratimin e një ligji të tillë është parandalimi i ndërtimit të objekteve dhe instalimit të infrastrukturës në afërsi të menjëhershme të ndërtesës së Parlamentit dhe funksionimi i pandërprerë i deputetëve dhe shërbimeve të Parlamentit.

“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut paralajmëron se përpjekja e Parlamentit për të kufizuar të drejtën e një tubimi publik, proteste ose demonstratash para dhe pranë ndërtesës së Parlamentit do të ketë pasoja të dëmshme për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Ju kujtojmë se Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë thotë se qytetarët kanë të drejtë të mblidhen në mënyrë paqësore dhe të shprehin protestë publike pa njoftim paraprak dhe pa leje të veçantë. Përdorimi i kësaj të drejte mund të kufizohet vetëm në kushte lufte dhe gjendjeje të jashtëzakonshme. Përveç kësaj, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk toleron kufizimin e përgjithshëm të tubimeve dhe protestave dhe konsideron se një gjë e tillë do të justifikohej vetëm nëse ekziston një rrezik real që protestat të rezultojnë në trazira, dhe vetëm nëse kjo nuk mund të parandalohet me përdorimin e masave më pak kufizuese. Prandaj, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kërkon tërheqjen e menjëhershme të tekstit të tillë të projektligjit dhe kërkojmë që përfaqësuesit e qytetarëve në legjislativ, kur miratojnë ligje, t’i kushtojnë gjithmonë vëmendje gëzimit të papenguar dhe të garantuar të të drejtave dhe lirive të njeriut”, thonë nga Komiteti i Helsinkit. 

Në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është propozuar një ligj i ri që do ta shpallë zonën përreth ndërtesës legjislativit zonë sigurie, ku mes të cilave parashikohet të mos lejohen mbajtje të tubimeve publike si protestat dhe ngjarjet. Organizatat e shoqërisë civile alarmojnë se me këtë shkilen të drejtat demokratike të qytetarëve.

Kuvendi më 3 qershor e miratoi nevojën për miratimin e propozim-ligjit me procedurë të shkurtuar.

Projektligji u paraqit me procedurë të shkurtuar, i hartuar nga kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe deputeti Bekim Qoku nga koalicioni VLEN, dhe mbështetet nga deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë Blerim Bexhetin, Borislav Krmov, Vesna Bendevska, Nikola Micevskin dhe Oliver Spasovskin.