Video e rreme tregon Zhan Mitrevin duke promovuar një “kurë” për tensionin e gjakut
Në Facebook po qarkullon një postim mashtrues në të cilin, përmes një videoje të manipuluar në mënyrë digjitale, rrejshëm pretendohet se doktor Zhan Mitrev rekomandon një ilaç natyral për normalizimin e tensionit të gjakut. Videoja është montazh, ndërsa përmbajtja është e pavërtetë, duke e çuar publikun në mashtrim dhe duke rrezikuar shëndetin publik, shkruan Vërtetmtësi.
Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook që keqpërdor emrin e kardiokirurgut të njohur Zhan Mitrev.
Doktor Zhan Mitrev ka prezantuar një preparat inovativ të bazuar në përbërës natyral, i krijuar për normalizim të butë të tensionit të gjakut dhe për rigjenerimin e enëve të gjakut. Ai është zhvilluar sipas kërkimeve më të fundit në fushën e kardiologjisë.
Shikoni një video të shkurtër dhe zbuloni pse dhjetëra mijëra njerëz tashmë e kanë harruar përgjithmonë luhatjen e tensionit, falë kësaj formule!, thuhet në një pjesë të postimit.
Në kuadër të postimit është shpërndarë një video në të cilën, në fakt, është përdorur dhe keqpërdorur një video e vjetër nga një intervistë me doktor Zhan Mitrev, së cilës i është shtuar një zë me ndihmën e mjeteve digjitale, me qëllim që të shfrytëzohet besueshmëria e tij si mjek për të promovuar një produkt në mënyrë manipuluese dhe të pandershme.
Në video, ku toni është i rremë, doktor Mitrev paraqitet në mënyrë të rreme si personi që ka shpikur një preparat për pastrimin e venave.
Vetë videoja ka disa mangësi teknike që tregojnë qartë se bëhet fjalë për një montazh. Kjo vihet veçanërisht re në gjestet e panatyrshme të duarve si dhe në pjesën e gojës, ku ka një sinkronizim të dobët. Gjithashtu, gjuha dhe teksti në video janë të panatyrshme dhe duken si një përkthim i dobët.
“Vërtetmatësi” e gjeti videon origjinale që është keqpërdorur dhe riedituar në postimin në fjalë. Bëhet fjalë për një video të publikuar fillimisht më 26 mars 2020, në kohën kur filloi pandemia e Covid-19, me titull: “Rekomandimet e doktor Zhan Mitrev për luftën kundër koronavirusit: Inhalime të shpeshta dhe shmangie e aktiviteteve në të ftohtë.” Në video, doktor Mitrev thotë se disa media i kanë kërkuar mendim për koronavirusin dhe mënyrat për ta luftuar.
Pjesa më problematike e videos manipuluese dhe të montuar është ajo ku, gjoja, kardiokirurgu i njohur thuhet se deklaron: “Marrja e përditshme e tabletave është rruga drejt varrit.” Kur njerëz që vuajnë nga probleme kardiovaskulare e dëgjojnë një deklaratë të tillë të pretenduar nga një mjek i njohur, mund të besojnë dhe të mos e trajtojnë siç duhet tensionin e lartë të gjakut, i cili është një sëmundje serioze dhe kërkon trajtim e terapi mjekësore.
Postimi, në momentin e rishikimit, ka 95 shpërndarje, 72 komente dhe 586 reagime. Faqja në Facebook nga e cila është shpërndarë postimi quhet Xavia Maine thukhoa2382, nuk ka asnjë të dhënë identifikuese, është krijuar si “krijues videosh për lojëra” dhe ka vetëm 67 ndjekës.
“Vërtetmatësi” edhe më herët ka rishikuar dhe zbuluar postime në të cilat emri i doktor Zhan Mitrev është keqpërdorur për të shitur ndonjë preparat. Në atë rast, identiteti i Mitrevit ishte keqpërdorur për të përhapur pretendime të rreme mjekësore që ai kurrë nuk i ka dhënë – si për shembull, se preparati në fjalë përmbante një përbërës “për rikthimin e shikimit”. Edhe në atë rast kishte manipulim të përmbajtjes në pjesën e sinkronizimit të zërit. Atëherë, për “Vërtetmatësin”, nga Klinika “Zhan Mitrev” na thanë se bëhej fjalë për një keqpërdorim të emrit të doktorit dhe se ai nuk merret me reklama të tilla.
“Ju lutemi mos i besoni lajmeve që nuk vijnë nga kanalet zyrtare të komunikimit të Klinikës Spitalore Zhan Mitrev,” deklaruan atëherë nga Klinika.
Është çnjerëzore që me reklama të tilla mashtruese të gënjehen pacientët në rrjetet sociale. Preparatet e paprovuara mund t’i largojnë pacientët nga kontrollet e rregullta dhe terapia, duke shkaktuar pasoja të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Qytetarët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos blejnë ilaçe të paprovuara pa u konsultuar me mjekun. Dezinformimet mund të kenë pasoja serioze – të nxisin individë të heqin dorë nga trajtimet mjekësore të dëshmuara në favor të barnave të padëshmuara, duke e përkeqësuar kështu gjendjen e tyre ose duke vonuar kujdesin e duhur.
Për shkak të të gjitha fakteve të lartpërmendura, postimin që po e shqyrtojmë e vlerësojmë si përmbajtje e manipuluar (altered content).