Pa prova dhe me një video të krijuar me inteligjencë artificiale, pretendohet se ushtarët ukrainas janë dorëzuar masivisht
Pretendimet për dorëzime masive të ushtarëve ukrainas po përhapen nga burime ruse ose përmes mediave, pa verifikim të pavarur apo fotografi/video të qarta. Nuk ekziston asnjë e dhënë publike që tregon se “disa qindra” apo “një batalion i madh” ushtarësh ukrainas janë dorëzuar, shkruan Vërtetmatësi.
Po analizojmë një postim në Facebook që thotë:
Ushtria ukrainase po fillon të dorëzohet masivisht.
Postimi shpërndan edhe një video në të cilën, sipas pretendimeve, shfaqen ushtarë ukrainas duke u dorëzuar, dhe disa prej tyre duke qarë.
Megjithatë, menjëherë mund të dallohet se videoja është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, pasi në të shihet nënshkrimi, përkatësisht vula e “Sora”-s, një mjet për krijimin e videove me inteligjencë artificiale.
Videoja është marrë nga një profil në TikTok, ku shpërndahen disa video të tjera që pretendojnë të tregojnë ushtarë ukrainas, por që gjithashtu janë krijuar me ndihmën e mjetit Sora.
Prandaj, është e qartë se videoja nuk është e vërtetë dhe nuk përbën asnjë provë për ndonjë dorëzim masiv të ushtarëve ukrainas.
Ky pretendim nuk mbështetet nga asnjë provë tjetër dhe as nga ndonjë raport në media botërore të besueshme.
Presidenti rus Vladimir Putin ka pohuar se forcat ruse kanë rrethuar ushtarë ukrainas në qytetet Pokrovsk dhe Kupiansk, dhe se po kërkohet një marrëveshje për dorëzimin e tyre.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se njësitë ukrainase të “rrethuara” nuk kanë dashur të dorëzohen.
Zyrtarët ukrainas e mohojnë rrethimin në Kupiansk dhe thonë se situata është e vështirë, por nën kontroll.
Disa raporte analitike tregojnë se disa njësi ruse janë dorëzuar ose kanë ikur për shkak të mungesës së organizimit – por kjo ka të bëjë me forcat ruse, jo me ato ukrainase.
Pretendimet për dorëzime masive të ushtarëve ukrainas po përhapen nga burime ruse ose përmes mediave, pa verifikim të pavarur dhe pa fotografi apo video të qarta. Nuk ka asnjë të dhënë publike që të tregojë se “disa qindra” apo “një batalion i madh” ushtarësh ukrainas janë dorëzuar.
Autoritetet ukrainase nuk kanë bërë të ditur ndonjë dorëzim të tillë masiv.
Burimet që trajtojnë tema të ngjashme (dorëzime masive të ushtarëve) zakonisht vijnë nga pala ruse ose kanë të bëjnë me humbje apo dorëzime të forcave ruse.
Për shkak të të gjitha këtyre fakteve, mund të përfundojmë se postimi që po analizojmë është i pavërtetë.

