Osmani: Përvoja e Spanjës dhe e Portugalisë tregoi se anëtarësimi në BE është mënyra e vetme për të parandaluar largimin e të rinjve

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë sot në Ulpiana Forum në Prishtinë, në panelin e titulluar “Migrimi përmes angazhimit të diasporës: një dimension i ri për bashkëpunimin diplomatik dhe zhvillimor”. Në fillim të prezantimit, Osmani theksoi se “.. mënyra e vetme për të parandaluar largimin e të rinjve është zvogëlimi i përçarjes në mundësitë ekonomike dhe sociale në Maqedoninë e Veriut në krahasim me vendet perëndimore, e cila mund të sigurohet përmes anëtarësimit në BE”, duke theksuar faktin se vendet si Spanja dhe Portugalia para anëtarësimit në BE kanë pasur dalje dukshëm më të madhe të fuqisë punëtore dhe të të rinjve, transmeton Portalb.mk.

Trendi në këto dy vende ka ndryshuar me anëtarësimin në Union, theksoi Ministri.

Osmani iu referua edhe projekteve të MPJ-së në interes të diasporës. Ai veçoi projektin “MKartë”, i cili në thelb “krijon një rrjet të vlefshëm individësh që janë më të mirët në profesionet e tyre dhe që në këtë mënyrë lanë gjurmë në mjedisin e ri në të cilin janë integruar me sukses dhe shërbejnë si urë shtesë bashkëpunimi midis diasporës dhe Maqedonisë së Veriut”. Ideja e projektit është që ata, sipas njohurive dhe aftësive të tyre, të përfshihen në projektet aktuale të Qeverisë dhe institucioneve shtetërore.

Përvoja e Maqedonisë së Veriut tregon se për punë sistematike cilësore me diasporën nevojitet ligj për diasporën, mbështetje institucionale (në formën e ministrit apo ministrisë) dhe hartimi i tij.

Osmani informoi se në regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut për herë të parë ka mundësuar regjistrimin e diasporës, por të dhënat për vendndodhjen e saj nuk mund të përdoren për të krijuar politika afatgjata. Kjo kërkon hartim të detajuar, për të cilën aktualisht është duke u zhvilluar një projekt në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin, me përfshirjen e tre ekspertëve të rinj të diasporës sonë nga Italia.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.