Osmani në kuadër të OSBE-së me nëntë pika për deeskalimin dhe normalizimin e situatës në veri të Kosovës

Kryesuesi i OSBE-së, ministri  i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, ka publikuar plan nëntë pikësh për deeskalimin dhe normalizimin e tensioneve në veri të Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Plani synon arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në veri të Kosovës dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe procese demokratike.

Këto janë nëntë pikat:

  1. Kosova dhe Serbia të riаfirmojnë angazhimin e tyre ndaj Marrëveshjes Themelore dhe Protokollit të Ohrit.
  2. Kosova duhet të tërheqë forcat e saj speciale policore, kurse Serbia duhet të ulë gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura.
  3. Policisë së Kosovës, së bashku me forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, duhet t’i mundësohet që të kujdesen plotësisht për rendin dhe sigurinë e vendit.
  4. Të anulohen protestat dhe të vihen në funksion shërbimet komunale për funksionimin normal të jetës shoqërore dhe njëkohësisht t’u lejohet qasje punonjësve në komuna.
  5. Kryetarët të japin dorëheqje deri në verën e këtij viti, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme komunale.
  6. Zgjedhjet e parakohshme komunale të mbahen këtë vit.
  7. OSBE do të mbështesë procesin zgjedhor, përmes mbështetjes teknike të autoriteteve kosovare që do të organizojnë zgjedhjet, duke forcuar legjitimitetin dhe besimin ndërmjet komuniteteve.
  8. OSBE do t’i angazhojë të rinjtë në programet dhe proceset e pajtimit.
  9. OSBE-ja do të vë në dispozicion kapacitetet e saj për të mbështetur zbatimin, me vullnet të mirë nga të dyja palët, e dispozitave të dakorduara dhe vazhdimin e dialogut.

Ndryshe, serbët lokalë që nga 29 maji protestojnë rregullisht në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Më 29 maj, protesta kaloi në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Është kërkuar dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri, për këtë presidentja e Kosovës dhe kryeministri kanë dhënë shenja se kjo mund të ndodh.