Rekomandimet e BE-së për sektorin e bujqësisë në RMV, ligjet e reja ende në fazë hartimi, procesi ec ngadalë
Klasteri 5 mbi resurset, bujqësinë dhe kohezionin në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë ështe i mbushur me kritika. Maqedonia e Veriut u konsiderua si e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të këtij klasteri. Gjatë periudhës së raportimit, ishte bërë njëfarë progresi në bujqësi dhe zhvillim rural dhe në politikën e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare. Megjithatë, u theksuan se nevojiten përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në fushat ku është bërë progres i kufizuar ose aspak, si në peshkim, dispozitat financiare dhe buxhetore, politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore. Në fushën e bujqësisë ishin tre rekomadime kryesore, në dy prej të cilave tashmë janë bërë disa hapa, por ligjet mbeten në fazë hartimi, shkruan Portalb.mk.
KE-ja rekomandoi që në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- të sigurojë burime shtesë të stafit për strukturën operative IPARD dhe të zgjerojë zbatimin e programit IPARD III për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë e disponueshme të financimit;
- të bëjë progres në transferimin e regjistrit të fermave dhe sistemit të identifikimit të parcelave të tokës (LPIS) tek agjencia paguese dhe përgatitja e një plani veprimi për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për periudhën 2021-2027;
- të miratojë një kuadër legjislativ për përafrimin e mëtejshëm me acquisin e BE-së në fushën e pagesave direkte dhe organizimit të tregut të përbashkët.
Lidhur me këto dhe vërejtje e rekomandime të tjera në raportin e progresit, Portalb.mk, kërkoi përgjigje nga Ministria e bujqësisë, se çfarë kanë bërë për këto vërejtje?
Portalb: KE në raportin e progresit rekomandoi që Strategjia kombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin rural për periudhën 2021-2027, e miratuar në vitin 2021, duhet të plotësohet me plan veprimi dhe buxhetim për të siguruar zbatimin e duhur, me sistem monitorimi dhe raportimi. A janë zbatuar këto rekomandime?
Ministria e Bujqësisë: Pas miratimit të Programit Kombëtar për Zhvillim bujqësor dhe rural për periudhën 2023-2027 (i cili bazohet në Strategjinë Kombëtare për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për periudhën 2021-2027), u miratua një plan aksional dhe buxhetim për të siguruar zbatimin e duhur të tij. Gjithashtu, përmes projektit të Bankës Botërore – Modernizimi i bujqësisë, filloi aktiviteti i monitorimit të politikave.
Portalb: U rekomandua gjithashtu miratimi i një ligji për të harmonizuar skemat kombëtare të mbështetjes së fermerëve me ligjin e BE-së. A ka propozuar ministria juaj një ligj të tillë?
Ministria e Bujqësisë: Hartimi i Ligjit të ri për bujqësi dhe zhvillim rural është në fazë të hartimit, ku do të bëhet harmonizimi i Politikës kombëtare bujqësore me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së. Për hartimin e këtij ligji është formuar grup pune, i cili ka për detyrë ta hartojë ligjin deri në fund të këtij viti.

Portalb: Raporti thekson se është bërë përparim i kufizuar në drejtim të ndërveprimit ndërmjet Regjistrit tëfFermave dhe Sistemit të identifikimit dhe Regjistrimit të kafshëve për sa i përket cilësisë së të dhënave për kafshët. A ka ndonjë përmirësim në këtë drejtim?
Ministria e Bujqësisë: Në lidhje me sistemin për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, si dhe në lidhje me cilësinë e të dhënave për kafshët, është miratuar Rregullore (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut nr. 16/22) ku është bërë integrimi dhe sinkronizimi i plotë i të dhënave për kafshët.
Portalb: Raporti vë në dukje dhe rekomandon që duhet të sillet një ligj i ri për prodhimin organik në përputhje me ligjin e BE-së. Aksionet për përmirësimin e monitorimit dhe kontrollit të certifikimit dhe produkteve organike janë të kufizuara, thuhet në raport. A është bërë ndonjë gjë në këtë drejtim?
Ministria e Bujqësisë: Ligji i ri për prodhimtarinë bujqësore organike është në fazën përfundimtare të zhvillimit, i cili do të harmonizohet me Rregulloren e re të BE-së 848/2018 për prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike dhe planifikohet të miratohet deri në fund të vitit 2023. Sistemi për kontroll dhe certifikim të bujqësisë organike në Republikën e Maqedonisë së Veriut zbatohet nga dy organe të autorizuara certifikuese.
Portalb: KE rekomandon që duhet të rritet numri i të punësuarve në organin për menaxhim dhe agjencinë IPARD. A është rritur numri i punonjësve?
Ministria e Bujqësisë: Rekomandimi për optimizimin e numrit të punonjësve në agjencinë IPARD ekziston në vazhdimësi, ndërsa situata ishte veçanërisht kritike në vitin 2016 dhe 2017. Nga atëherë e deri më sot rritja e kapaciteteve administrative në agjenci ka qenë e vazhdueshme dhe do të vazhdojë. Gjatë këtij viti do të bëhet një analizë e re workload dhe shpresojmë që me shifrat përfundimtare që do të dalin nga analiza, do të respektohet rekomandimi i Komisionit Evropian. Fakt është se ka një dalje të madhe të punonjësve nga agjencia, dhe pikërisht për këtë arsye, me plotësimin e ligjit për ekzekutimin e buxhetit, u mundësua që punonjësit e agjencisë IPARD të kenë shtesë rroge prej 15%. Njëkohësisht, në bashkëpunim me Bankën Botërore po punohet për zhvillimin e hapësirave të reja të zyrës për agjencinë IPARD si një kontribut i rëndësishëm për kushte më të mira pune për punonjësit aktualë dhe të ardhshëm.
Portalb: Është krijuar një grup pune për Organizatën e përbashkët të tregut (OPT). KE thotë se duhet miratuar një ligj i ri OPT që është në përputhje me ligjin e BE. A ka propozim për një ligj të tillë?
Ministria e Bujqësisë: Është në proces hartimi i Ligjit të ri për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili do të përfshijë amendamentet e fundit nga rregullorja e BE-së, të cilat janë në fushën e organizimit të përbashkët të tregjeve (OPT). Për hartimin e këtij ligji është formuar një grup pune, i cili ka për detyrë ta hartojë ligjin deri në fund të këtij viti.
Nga sa shihet, vërejtjet nga KE-ja janë marrë në konsideratë, megjithatë pikëpyetje mbetet nëse, ligjet e lartcekura do të gjejnë miratim nga institucioni ligjvënës dhe paraprakisht nga instanca të tjera, pasi praktika tregon se shumica e ligjeve që nuk konsiderohen edhe aq prioritare mbeten në labirintet e institucioneve. Tashmë gjysma e këtij viti po përfundon dhe këto ligje ende ndodhen në fazë hartimi, gjë që tregon se vështirë se do të miratohen deri në fund të vitit.

Kujtojmë se Kapitulli 25 është një nga kapitujt e rrallë, që vendi i ka zbatuar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar dhe këtë vit ka rekomandime të reja.
Për dallim nga ky kapitull, gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut nuk bëri asnjë progres në Kapitullin 8 – Politika e konkurrencës. Vendit iu rekomandua që të forcojë kapacitetet administrative dhe financiare, të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore dhe të harmonizojë legjislacionin zbatues në ndihmën shtetërore. Ndërkohë, kapitulli – Shërbimet financiare ka shënuar progres në lidhje me përafrimin e pjesshëm me acquisin e BE-së për përfundimin e shlyerjes dhe për letrat me vlerë dhe fondet e investimeve, sidoqoftë, përsëri rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe një pjesë e rekomandimeve vlejnë edhe për këtë vit. Përparim të kufizuar, vendi shënoi edhe me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit e buxhetit si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dhe miratimin e ligjit të ri organik të buxhetit në shtator 2022.
Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.