Kompanitë ajrore po tërhiqen nga Aeroporti i Shkupit, pas” Lufthansës” nga vjeshta largohen edhe “Lot” dhe “EasyJet”

Pas tërheqjes së kompanisë gjermane ajrore “Lufthansa” në maj të këtij viti, nga vjeshta në orarin dimëror të fluturimeve nga Shkupi nuk do të jetë as linja e kompanisë ajrore polake “LOT” për Varshavë. Nga nëntori ndërpritet edhe fluturimi i kompanisë me kosto të ulët “EasyJet“ për aeroportin Paris-Orly, transmeton Portalb.mk.

Sipas sistemit të rezervimeve të kompanisë polake, janë anuluar të gjitha fluturimet drejt Varshavës për sezonin dimëror, i cili zgjat deri më 28 mars. Fluturimi i fundit nga Shkupi për Varshavë do të jetë më 23 tetor.

Fluturimi i fundit Shkup–Paris-Orly është planifikuar për 24 tetor.

Me ndërprerjen e linjave Shkup–Frankfurt dhe Shkup–Varshavë humben dy nyje të rëndësishme ajrore evropiane, përmes të cilave udhëtarët kishin qasje në dhjetëra destinacione në mbarë botën. Të dyja kompanitë janë anëtare të aleancës globale “Star Alliance” dhe përmes qendrave të tyre në Frankfurt dhe Varshavë ofronin lidhje me një rrjet të gjerë fluturimesh.

Kështu, Shkupi nuk humb vetëm lidhjet direkte me dy qytete evropiane, por edhe një pjesë të mundësive për të udhëtuar me vetëm një ndalesë drejt shumë destinacioneve evropiane dhe interkontinentale.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, gjatë korrikut janë shërbyer 408.925 pasagjerë, që paraqet rritje prej 29,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa janë realizuar 2.670 fluturime, ose 10,3% më shumë se në korrik 2025. Dita me frekuentimin më të madh në Aeroportin e Shkupit ishte 31 korriku, kur u shërbyen 16.347 pasagjerë. Numri më i madh i fluturimeve brenda një dite, gjithsej 101 operacione, u realizua më 20 korrik.