Përtej kafazit: Mes librave dhe bjeshkëve

Si fëmijë e kishte zakon të ndiqte shfaqjen magjike të mjegullave, të kapte në to figurat e përrallave të Nanëlokes, të sodiste vijat e thyera të horizontit rreth vendlindjes…

E digjte pareshtur dëshira për të mësuar çfarë kishte përtej kurrizeve bjeshkore? Ia xigëlonte fantazinë e panjohura, kureshtja që ofron mrekullia e pashijuar, udhëtimet interesante me të papriturat e tyre, si ato të heronjëve të tij: Kontit të Monte Kristos dhe Guliverit.

I ndërtonte brenda vetes pamjet e së panjohurës, që shpesh rezultonin të jenë më të bukura se vetë realiteti. Një herë e një kohë mendonte se malet mbi të cilat formohej vija e horizontit përreth tij ishin kufijtë e mbramë të natyrës, por më vonë mësoi se bota ishte e madhe, kurse kodrat s’kishin të sosur; se ishin madje me shumë huje dhe me tipare të çuditshme. Bie fjala: sa më tepër u afrohesh majave të tyre aq më larg ikin prej teje, për t’u dorëzuar vetëm atëherë kur binden në dashurinë dhe këmbëngulësinë e skajshme, si gjithë bukuritë që nuk pushtohen e nuk jepen kollaj.

Për të, ngjitja atje lart është shenjë se jemi gjallë, konfirmim i jetës, një lloj ekstaze, një freskim i shpirtit dhe energjive të brendshme, është shpëtim, liri, takim me origjinën tonë të vërtetë – ikje dhe kthim në natyrën parake së cilës nuk i shmangemi dot, sado që të përpiqemi.

Në fakt, ai, as pas kaq vitesh shoqërimi me bjeshkët, nuk e di saktësisht ç’është ajo që e lidh me to? Ndoshta pamja e tyre përrallore, ndoshta sertimi i papritur dhe rreziqet reale, që, për paradoks, kanë fuqi të jashtëzakonshme tërhjeqëse, ndoshta dashuria e pare, ndoshta çapkanllëqet e pandalshme të bijave të bjeshkës, mjegullave.

Por, një është e sigurt: bjeshkët janë për shpirtrat e trazuar që s’u shmangen sfidave të jetës, gjërave që nuk shijohen prej gjithkujt; për ata që kanë nevojë më të theksuar për dalje nga kafazi, për ikje të përkohshme nga realiteti përmes një klithjeje, përmes një proteste a një kënge të moçme; për ata që kërkojnë ambiente të qeta ku mund t’i japin krahë e ta shpalosin pjesën prej fëmije, që nuk guxon të përmbytet plotësisht në teatrin serioz të jetës urbane; për ata që duan të jenë vetëm me vetveten dhe me Zotin e tyre, për të harruar, të paktën për ca kohë, shëmtitë e botës së mbytur në thashethemnaja, në maska, në bonton të rremë, në kopshte betoni dhe në deponi plehurinash turlifare.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.