Edhe 7 pacientë nga rasti i Koçanit janë në trajtim jashtë vendit, janë shpenzuar rreth 21 milionë denarë para shtetërore

Drejtori i SHPPP-së, Ivica Tomovski, në tribunën “Koçani është prioriteti ynë”, e cila u mbajt në Qeveri dhe ishte e dedikuar për tragjedinë në Koçan, informoi se edhe 7 pacientë po trajtohen jashtë vendit, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë drejtori i i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), Sasho Klekovski, tha se 5 pacientë të tjerë trajtohen në spitalet e vendit.

“Edhe 7 pacientë janë ende në trajtim jashtë vendit, gjithashtu kanë shoqërues, po ashtu u mbulohen shpenzimet për akomodim dhe shpresoj që së shpejti t’i rikthejmë në vendin tonë”, tha Tomovski.

Ai shtoi se de në këtë moment janë shpenzuar rreth 21 milionë denarë para shtetërore.

“Ajo që dua ta theksoj është se deri në këtë moment janë shpenzuar rreth 21 milionë denarë para shtetërore, të cilat përsëri dua të përmend, nuk do të thotë se këtu përfundon. Shteti qëndron në dispozicion dhe do të qëndrojë deri në atë moment sa të kemi një pamje të qartë dhe sa të rikthejmë pacientët këtu në Maqedoni dhe t’i shërojmë plotësisht deri në fund,” informoi drejtori Tomovski.

Klekovski ndërkohë informoi se nga 12 pacientët që po trajtohen në spitale, ka nga dy në Serbi, Turqi, Greqi dhe nga një në Slloveni.

Në spitalet tona, tre janë në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, dhe dy janë në “Sistina”.

“Nga këta 12 të plagosur që ende trajtohen në spitale, njëri është në gjendje të rëndë”, thotë kreu i Fondit.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.