Akuaparku i Tetovës vetëm në letër: Premtime milionëshe, një vit e gjysmë pritje dhe asnjë lopatë në terren

Ndonëse ishte planifikuar që përmes këmbimit të një toke të ndërtohet akuapark në Tetovë, ky proces po zvarritet për mbi një vit e gjysmë. Nga Komuna e Tetovës arsyetohen se ende nuk është përmbyllur procedura, raporton Portalb.mk. 

Në një nga seancat e Këshillit Komunal të Tetovës, në shtator të vitit 2023 u bë e ditur se Komuna e Tetovës do ta japë me partneritet publiko-privat për 15 vjet pishinën e mbyllur të qytetit për të ndërtuar akuapark në atë vend dhe më këmbim, kompania e përzgjedhur me thirrje publike për të ndërtuar akuaparkun, do të merr tokë prej rreth 4.500 metra katrorë, e cila gjendet afër pishinës së mbyllur. 

Sipas vendimit të cilin e miratoi Këshilli Komunal dhe siç njoftoi aso kohe kryetari i Këshillit Komunal, për 15 vite me radhë ndërmarrja që do e merr me koncesion do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet, ndërkaq do të ndërtojë edhe objektet ndihmëse dhe administrative për komunën e Tetovës që janë të nevojshme, si dhe pishina do të jetë në shërbim të nxënësve  prej orës 8 deri ora 4. 

Por një gjë e tillë nuk është realizuar ende dhe po zvarritet.  

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se ky proces po vijon, duke mos dhënë detaje se kur do të përfundojë. 

“Është një ndër projektet të cilat i realizojmë në partneritet privato-publik dhe të cilat janë në procedurë të pëlqimeve nëpër institucione, Qeveri, Ministri të Transportit dhe institucionet tjera për të marrë pëlqim për procedurën, ende nuk është përmbyllur procedura. Jemi në fazën e sigurimit të pëlqimeve për të shpallur tenderin për të gjetur partner privat”, tha Kasami. 

Siç kanë sqaruar nga komuna, investimi në pishinën e hapur pritet të kapë shumën mbi 1.2 milionë euro ndërsa investimi në pishinën e mbyllur në vlerë 370 mijë euro. 

Lidhur me këtë nismë, këshilltarët komunal nga opozita, nga BDI dhe PDSH kanë kritikuar se ky investim nuk është i arsyeshëm nga ana financiare. 

Ndryshe, me procedurë të ngjashme Komuna e Tetovës përmes partneritetit publiko-privat planifikonte të japë tokë ndërtimore në sipërfaqe prej  mbi 3.800 metra katrorë kompanisë e cila do të përzgjidhet për të ndërtuar objektin e ri të administratës afër Komunës së Tetovës. Se çfarë ka ndodhur me këtë procedurë, detajet do të mund t’i  lexoni nesër në Portalb.mk.