Organizata e konsumatorëve në RMV: Çmimet duhet të monitorohen, masat të mos vonohen nëse ka rritje çmimesh

Në pritje të festave të Vitit të Ri, institucionet dhe inspektimet kompetente duhet të jenë të pranishme në terren dhe të monitorojnë çmimet, veçanërisht produktet ushqimore, në mënyrë që të mund të ndërhyjnë në kohën e duhur nëse ka rritje të menjëhershme të çmimeve, konsideron Organizata e konsumatorëve pasi qeveria njoftoi se nuk do të ketë masa afatshkurtra, siç ishte shporta e Vitit të Ri e vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Nëse çmimet monitorohen, kjo duhet të bëhet me të vërtetë në mënyrë efektive dhe gjatë kësaj periudhe inspektimi duhet të jetë vazhdimisht në terren dhe të vëzhgojë nëse ka rritje çmimesh. Nëse merren masa të tilla afatshkurtra, konsiderojmë se duhet të jenë nga një periudhë pak më herët, një ose dy muaj kur çmimet nuk ishin aq të larta sa në periudhën tjetër kur ato do të rriten”, thotë Tatjana Tasevska, Organizata e konsumatorëve (OKM).

Ministria e Ekonomisë është e mendimit se nuk do të ketë masa afatshkurtra siç janë shportat e konsumatorëve për festat, sepse analizat kanë treguar se inflacioni është i qëndrueshëm dhe nuk ka rritje çmimesh. Ministria do të presë alarm nga inspektimi i tregut nëse çmimet rriten ndjeshëm.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë çmimet, mund të shihni se inflacioni është stabilizuar pak a shumë me një rënie të lehtë. Nëse përcaktojmë se ka rritje të tilla çmimesh jo-tregtare dhe jologjike, do të shqyrtojmë më tej se çfarë masash, nëse ka, të ndërmarrim. Për momentin, nuk do të ketë masa. Do të vendosim se si të veprojmë si Qeveri dhe si Ministri e Ekonomisë dhe Punës”, tha Marjan Risteski, zëvendës ministër i Ekonomisë.

Masat afatgjata, pra një strategji, do të japin rezultate shumë më të mira dhe do të parandalojnë rritjen e çmimeve siç ndodh pas skadimit të masave afatshkurtra.

“Organizata e konsumatorëve, edhe kur u morën ato masa afatshkurtra, besonte se ato nuk do të kishin shumë efekt sepse zakonisht merreshin kur çmimet ishin të larta, ndërsa pas një, dy ose tre muajsh, kur këto masa pushojnë së zbatuari, çmimet tashmë po rriten me shpejtësi, që do të thotë se ne besojmë se nëse merret ndonjë masë, ato duhet të jenë afatgjata dhe të kenë efekte në çmime dhe se qytetarët duhet ta ndiejnë këtë”, thotë Tatjana Tasevska.

Organizata kohët e fundit ka marrë dhjetëra ankesa nga qytetarët për rritje të papritura të çmimeve të disa produkteve ushqimore.

Kujtojmë se shporta minimale në Maqedoni shënon vazhdimisht rritje. Gjithashtu gjatë muajit gusht është regjistruar rritje e çmimet për 12.1 përqind te produktet bujqësore, ndërsa rritja më e madhe ishte te patatet për 76.6 përqind.