LSDM paraqiti propozim për komision anketues për rastin e Koçanit, iu bashkua edhe Levica

Deputetët e LSDM-së dhe koalicionit sot paraqitën iniciativë për themelimin e një Komisioni anketues për tragjedinë e Koçanit, së cilës iu bashkuan edhe deputetët nga Levica dhe ishte pjesë e kërkesave të familjeve të të vdekurve dhe të lënduarve, transmeton Portalb.mk.

“Komisioni duhet të përcaktojë të gjithë të vërtetën, si dhe se si u kërcënua siguria e të pranishmëve në objektin në Koçani, të përcaktojë dështimet institucionale, shkeljet e dispozitave ligjore, si dhe të gjejë përgjegjësinë politike”, thonë nga LSDM.

Bazuar në gjetjet, deputetët propozojnë që komisioni anketues të përgatisë dhe të paraqesë Raport në Parlament jo më vonë se një muaj pas përfundimit të punës së tij.

“U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve nga të gjitha partitë politike që ta mbështesin këtë iniciativë, të marrin pjesë aktive në proces dhe që Parlamenti të formojë dhe të fillojë punën për komisionin anketues sa më shpejt të jetë e mundur”, thonë nga LSDM.

Kujtojmë se LSDM-ja, bashkë me BDI-në, qysh pas tragjedisë së Koçanit, thanë se përmes komisionit hetimor në Kuvend do të kërkojë përgjegjësi politike për tragjedinë në Koçan. Mirëpo, këto mbetën vetëm paralajmërime, pasi nuk pati asnjë njoftim për iniciativë të tillë.

Komisionet anketuese si mekanizëm për kontrollin e kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv janë paraparë me Kushtetutë në nenin 76, sipas dispozitave të së cilës kuvendi themelon trupa punues të përhershëm dhe të përkohshëm. Kuvendi mund të themelojë komisione anketuese për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik.

Propozimi për krijimin e një komisioni anketues mund të bëhet nga të paktën 20 deputetë. Me qëllim të konstatimit të fakteve dhe situatave lidhur me çështje të diskutueshme krijohen komisione anketuese, për të cilat janë kompetente ministritë dhe organet e tjera të qeverisjes shtetërore.

Komisioni anketues ka për detyrë të shqyrtojë dokumentacionin, të analizojë një ngjarje apo rast specifik dhe t’i paraqesë Kuvendit gjetjet e tij. Gjetjet e komisioneve anketuese janë bazë për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike. Rregullorja e Kuvendit nuk elaboron çështjet që kanë të bëjnë me komisionet anketuese.

Gjegjësisht, nuk ka zgjidhje normative për mënyrën e punës së komisioneve hetimore, marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tyre me organet përkatëse shtetërore nga të cilat duhet të marrin të dhënat përkatëse dhe përgjigjet për çështjet në fjalë.

Për shkak të mungesës së rregullores, por edhe për shkak të qasjes dhe qëndrimit joserioz ndaj punës së komisioneve, mund të konstatohet se në praktikë Kuvendi nuk e shfrytëzon mjaftueshëm mundësinë kushtetuese për të ushtruar kontroll politik mbi bartësit e pushtetit ekzekutiv përmes komisioneve anketuese.

Ndër vite, Kuvendi ka formuar disa komisione anketuese. Më i fundit ishte ai për rastin me barnat për pacientët me kancer ose i njohur në opinion si “Onkologjia”, për të cilin dimë që nuk është se solli diçka të re ose se hodhi më tepër dritë mbi rastin. Madje nuk u dëgjua as u raportua për konkluzionet e këtij komisioni.

Komisionet të tilla më herët ka pasur edhe për vrasjen e Almir Aliut, 4-vjeçarit nga Kumanova, për rastet “Sopot” dhe “Monstra”. Megjithatë, në të gjitha rastet, komisionet anketuese nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

Mesa duket, komisionet e tilla më tepër formohen sa për sy e faqe, se sa realisht për të arritur rezultate konkrete.