Orban në Shqipëri, paralajmërohen “marrëveshje të rëndësishme”

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare. Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton REL.

Orban është shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szillarto dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Marton Nagy.

Zyra për mediat e Kryeministrisë në Shqipëri ka bërë të ditur se mes dy delegacioneve do të firmosen disa marrëveshje, por nuk është specifikuar se çfarë përfshijnë ato.

Pas firmosjes së marrëveshjeve dy kryeministrat do të zhvillojnë një konferencë për mediat.

Orban do të takohet edhe me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në profilin e tij në Facebook, kryeministri hungarez ka paralajmëruar marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve.

“Mbërritëm në Shqipëri, na presin marrëveshje të rëndësishme!”, ka shkruar ai.

Vetëm dy javë më parë, Shqipërinë e vizitoi presidentja e Hungarisë, Katalin Novak.

Në fokus të takimit me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, ishin zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, plagosja e ushtarëve të KFOR-it, mes të cilëve edhe disa hungarezë.

Gjithashtu u fol për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, por edhe për thellim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë numri i kompanive hungareze në Shqipëri është dyfishuar që nga vitit 2015.