Opozita shqiptare: BDI bën presion ndaj gjykatësve të RMV-së që të sjellin Gruevskin në vend

Përfaqësuesit e opozitës shqiptare, sot përpara Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut në Shkup një konferencë për media thanë që japin mbështetjen e tyre për gjykatësit të cilët sipas tyre, janë ndër presion nga nga kërkesat për kthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski-t në vend, raporton Portalb.mk.

Izet Mexhiti, kryteari i “Lëvizjes Demokratike” tha se ata kanë marrë disa denoncime që Bashkimi Demokratik për Integrim ushtron presion ndaj gjyqtarëve në këtë gjykatë për të rikthyer në fuqi faljen e ish presidentit Gjorge Ivanov me të cilën faleshin shumë ish funksionarë,  me qëllim që të falet dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski.

“Siç e dimë dhe si kemi marrë informacione nga disa denoncues, BDI dhe individë caktuar të cilët janë të instaluar në kryesinë e kësaj partie vazhdojnë të ushtrojnë një presion të paprecedent ndaj gjyqtarëve në këtë gjykatë duke dëshmuar kështu se janë kthyer nga një parti politike në titan dhe se me forcën e pushtetit të tyre politik dëshirojnë të vrasin çdo shtyllë të demokracisë. Kjo nuk është për tu çuditur aspak por është një indikator që duhet të shërbejë për vetëdijesim për të gjithë ne që kjo parti politike është bërë një sinonim i hipokrizisë duke vepruar kundër çdo vlere evropiane. Nuk mund të jesh pro evropian dhe ti bësh presion gjyqësorit, nuk mund të jesh pro evropian dhe të  jesh pjesë e çdo afere korruptive, nuk mund të jesh pro-evropian dhe të veprosh kundër demokracisë” tha Mexhiti.

Ai gjithashtu shtoi se BDI-së nuk i interesojnë ndryshimet kushtetuese por se ka nevojë për Gruevski-n që të bëjë pazare me deputetet e LSDM-së për të hyrë në qeveri në zgjedhjet e ardhshme.

Kujtojmë se, ish presidenti Gjorgje Ivanov në vitin 2016, fali 56 persona, një pjesë e tyre të dyshuar në lëndët të ish PSP-së, në mesin e të cilëve edhe funksionarë të lartë të pushtetit të kaluar. Një veprim i tillë i ish-presidentit shkaktoi reagime të ashpra nga faktori i jashtëm dhe i brendshëm, madje u mbajtën dhe protesta. Pas një muaji e gjysmë dhe pas ndryshimeve ligjore në Ligjin për Falje, ai i tërhoqi abolimet.

Ndërkaq, ish-kryeministri i RMV-së, Nikolla Gruevski është arratisur në Hungari në vitin 2018, pas ndjekjes nga organet gjyqësore maqedonase për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ai është dënuar me 14 vjet burgim për gjashtë vepra penale, ndërsa disa procese të tjera janë duke u zhvilluar ende.

Maqedonia e Veriut ndodhet në krizë politike ndërsa rrezikon edhe të ngecë në procesin e integrimin evropian nëse nuk arrin të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Shumica parlamentare nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat apo 80 nga 120 votat e deputetëve në Kuvend andaj po kërkon mënyra për të siguruar mbështetjen e opozitës maqedonase.

Rikujtojmë gjithashtu se opozita shqiptare ka shpalosur tre kushte që të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar, anëtarësimin në BE, mosvjetërsimin të lëndëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga politikanët dhe heqjen e termit 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutën e RMV-së.