Sot filloi Festivali i Poezisë në Shkup

Prej sot, 24 shtator e deri më 28 shtator, në Shkup mbahet Festivali i Poezisë, i treti me radhë. Në këtë edicion pritet të marrin pjesë dhjetëra artistë të huaj dhe vendor, transmeton Portalb.mk.

“Do të marrin pjesë poetë të huaj nga Danimarka, Malta, Franca/Siria, Kroacia dhe Serbia, si dhe do të marrin pjesë mbi 50 poetë vendas. Hapja zyrtare është caktuar më 27 shtator në ora 20:00 në QKR me manifestimin e quajtur “Ajër. Erë. Frymëmarrje”, njoftoi Ministria e Kulturës.

Aktivitetet do të zhvillohen në Shkup, në Qendrën Kulturore Rinore, në bibliotekën “Braça Milladinovci” dhe në kafe-librarinë “Bukva”.

“Në programin e festivalit përfshihen disa lexime poezish, si dhe promovime librash, ekspozitë të fotografive, do të shfaqen edhe disa filma poetikë, do të ketë koncerte muzikore, master-klas ose punëtori për shkrim kreativ të poezisë, panel diskutimi për të rritur dukshmërinë e letërsisë maqedonase jashtë vendit si dhe joga në natyrë me meditime poetike”, sqaroi Ministria.