Numri i personave të vaksinuar në RMV me vaksinën MRP është i ulët, është rritur rreziku nga paraqitja e epidemisë së fruthit

MRP është vaksinë e sigurt dhe e kombinuar efikase e cila mundëson mbrojtjen kundër fruthit, shytave dhe rubeolës. Numri i të vaksinuarve në Maqedoninë e Veriut nuk është në nivel të kënaqshëm, përqindja e të vaksinuarve me këtë vaksinë në nivel ndërkombëtar është 70 përqind. Kjo është arsyeja përse prindërit duhet t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.
Këto ishin një pjesë e konkluzave nga brifingu i sotëm me gazetarët me temë “MRP Vaksina” e cila u organizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondacioni Metamorphosis, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe me mbështetje financiare nga USAID
, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në brifing, folës ishin përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiGiovanni, epidemiologia nga Instituti i Shëndetit Publik, Dr. Kristina Stavridis, si dhe Dr. Ljiljana Kojiq, pediatre specialiste nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve. Në brifing u prezantuan të dhënat për situatën, mbulimin dhe përfitimet nga vaksinimi MRP në vend.

Mjekja Kristina Stavridis tha se fruthi shfaqet më shpesh në fëmijëri.

“Fruthi është një sëmundje respiratore e cila mund të çojë deri në komplikime të rënda dhe deri në përfundim fatal. Sëmundja mund të shkaktojë komplikime tek ata të cilët e kalojnë atë, ndërkaq më serioze janë pneumonia dhe inflamacioni i trurit. Nën rrezik më të madh janë fëmijët nën moshë 5 vjeç dhe të rriturit mbi 20 vjeç, si dhe personat me imunitet të dobët dhe gratë shtatzëna”, tha mjekja Stavridis.

Stavridis informoi se në vend janë vaksinuar 70 përqind të popullatës, me dozën e parë të MRP vaksinës dhe 89 përqind me dozën e dytë.

“Kjo përqindje për dozën e dytë, na tregon se prindërit nuk i shmangen vaksinës, por e vonojnë vaksinimin. Është i ulur mbulimi i të vaksinuar në dy vitet e fundit te ne dhe në botë (74 përqind për dozën e dytë), që tregon se po përballemi me një rrezik të zmadhuar të një epidemie. Që nga fillimi i dhjetorit, në Rumani veçmë ka një epidemi të fruthit me mbi 1800 raste të regjistruara të moshës nëntë vjeçare, kryesisht popullatë e pa vaksinuar”, tha Stavridis.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiGiovanni, tha se miliona fëmijë në botë e kanë marrë vaksinën MRP pa pasoja dhe theksoi se ajo merret në mënyrë të sigurt.

“MRP vaksina është rutina më kryesore për imunizimin e fëmijëve sepse fruthi është virusi që përhapet më shumë prandaj vaksinimi duhet të jetë 95 përqind për të arritur imunitet kolektiv. Këtu përqindja nuk është aq, në nivel ndërkombëtar është 90 përqind. Në Kumanovë është 40 përqind, që është shumë më e ulët, nga përqindja e parashikuar. Nëse fëmijët sëmuren me fruthin, ata janë në rrezik të sëmuren seriozisht, të kenë probleme me fertilitetin në të ardhmen, të kenë sëmundje të tjera, madje të shkaktojë edhe vdekje prandaj vaksinimi është i nevojshëm ”, tha DiGiovanni.

Ajo gjithashtu theksoi se nuk ka prova shkencore për ndërlidhjen në mes vaksinës MRP dhe autizmit.

“U shpenzuan shumë para për hulumtime, kishte pretendime se vaksina shkakton autizëm. Nipi im ka autizëm, kur prindërit e tij mësuan i kapi paniku duke e pyetur veten nëse vaksina ishte shkaku për atë. Por nuk ka asnjë prapavijë shkencore pas gjithë kësaj, nuk ekziston lidhje në mes të autizmit dhe vaksinës MRP”, tha DiGiovanni duke theksuar se mediumet kanë një rol të rëndësishëm kur flitet për temën e vaksinimit.

Dr. Liljana Kojiq nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve tha se vaksina është sjellë në Maqedoni në vitin 1972.

“Unë kam lindur disa vite para se të sillet vaksina në vend. Nuk isha e vaksinuar dhe jam sëmurë nga fruthi. Kisha një formë shumë të rëndë të pneumonisë. Prandaj, vlerësoj se vaksina është një nga përfitimet më të mëdha të civilizimit dhe falë saj nuk kemi sëmundje” tha mjekja Kojiq.

Mjekja Kojiq theksoi se ekziston një grup i prindërve të frikësuar dhe të shqetësuar, të cilët lexojnë dezinformata në rrjetet sociale. Ajo gjithashtu tha se duhet të punohet me njerëzit, të sqarohen mirë punët e vaksinimit në çdo aspekt, të njoftohen për çdo komplikim të mundur.

Duke folur për punën e saj si pediatre, mjekja tha se ajo ka arritur t’i bindë prindërit të cilët nuk kanë qenë të sigurt për vaksinat.