Nuk u shpall për dhjetë ditë tenderi për rikonstruimin e stadiumit të Tetovës siç tha Kasami, tani thotë se mund të ndërtohet objekt i ri

Me 25 tetor 2023 kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami deklaroi se brenda dhjetë ditëve do të shpallej tenderi për rikonstruimin e stadiumit të Tetovës. Megjithatë kjo nuk ka ndodhur edhe pse kanë kaluar më tepër se dhjetë ditë që atëherë. Tani ai thotë se ka vonesa dhe se mund të ndërtohet objekt i ri, shkruan Portalb.mk.

Në tetor Kasami pati deklaruar se janë në fazën përfundimtare të përcaktimit të detajeve dhe se priste që brenda dhjetë ditëve të shpallet tenderi.

“Fatkeqësisht deri tani nuk ka pasur projekt konkret në bazë të cilit ne do të mund të vazhdonim më tutje procedurat. Pra jemi në fazën e definimit të të gjitha detajeve që sa më shpejt të bëhet shpallja e tenderit ku çdo firmë, kompani, biznes do mund të paraqitet. Unë besoj se jo më larg se dhjetë ditë do të bëhet shpallja”, deklaroi Kasami me 25 tetor 2023.

Nga atëherë kanë kaluar gati një muaj dhe tenderi nuk është shpallur.

I pyetur për këtë se pse nuk është hapur ende, Kasami pranoi se ka vonesa ndërkaq tani përmendi diçka të re, tha se mund të ndërtohet objekt i ri.

“Shikoni, aty mund të jap edhe një lajm të mirë që edhe përkundër faktit që ka vonesa ne do gjejmë zgjidhje që do jetë më e mirë për Tetovën dhe kjo nënkupton se mund të shkohet edhe me konceptin e ndërtimit të një stadiumi të ri”, tha Kasami me 18 nëntor 2023.

Për rikonstruimin e stadiumit janë bërë shumë premtime, por deri tani pa rezultat në terren.

Në muajin korrik kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami paralajmëroi se tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit pritet të shpallet në shtator apo tetor.

Paraprakisht, Kasami në muajin maj theksoi se vjeshta ishte afati i pritshëm për fillimin e punimeve, por aso kohe pa dhënë detaje.

Ndërkaq, edhe vitin e kaluar disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti, por kjo nuk ndodhi.

Rikonstruimin e stadiumit kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra tetovare “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.