Tenderi për stadiumin e Tetovës shpallet së shpejti, afatet konkrete pritet të specifikohen pasi të mbarojë procedura tenderike

Ndonëse në muajin korrik kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami paralajmëroi se tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit pritet të shpallet në shtator apo tetor, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se Ndërmarrja e Transportit Publik do të jetë përgjegjëse e punimeve të rikonstruksionit, ndërsa tenderi do të shpallet së shpejti. Ndërkaq afatet konkrete pritet të përcaktohen pasi të finalizohet procesi i tenderimit.

“Besojmë diku nga shtatori-tetori do të shpallet edhe tenderimi dhe do të zgjidhet kompania që do të ndërtojë stadiumin”, kështu pati deklaruar Kasami në korrik gjatë seancës të pyetjeve të këshilltarëve komunal. Ai theksoi se bëhet fjalë për investim diku rreth 10 milionë euro, ndërsa rikonstiruimin do e bëjë komuna.

Për këtë, Portalb.mk kërkoi  detaje në lidhje me këtë projekt nga Komuna e Tetovës. Nga atje bëjnë të ditur se Komuna do të jetë përgjegjëse për punimet e rekonstruksionit, përkatësisht, Ndërmarrja e Transportit Publik.

“Procedurat e tenderimit janë në fazën e përgatitjes dhe pritet që tenderi me projekt të detajuar të shpallet në një të ardhme të afërt. Në këtë proces është që nuk ka asnjë marrëveshje të paracaktuar me asnjë kompani specifike për rikonstruksionin e stadiumit. Procedura e tenderimit do të jetë e hapur për të gjithë operatorët potencialë që janë të interesuar për të marrë pjesë. Kjo do të sigurojë një konkurrencë të shëndetshme dhe mundësi të barabarta për të gjithë atë që dëshirojnë të aplikojnë”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga atje theksuan se afatet konkrete për fillimin dhe përfundimin e punimeve do të përcaktohen më pas, pra pasi të finalizohet procesi i tenderimit dhe të miratohet projekti përfundimtar.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dje në faqen e tij zyrtare në Facebook njoftoi se ka pasur takim me pronarin e kompanisë “Ecolog”, Lazim Destanin.

“Në kuadër të bisedës gjatë takimit, një nga temat ishte edhe projekti i stadiumit të qytetit për të cilin janë gjetur zgjidhjet për çështjet kontestuese dhe tashmë janë hapur rrugët ligjore për realizimin e projektit”, shkroi Kasami.

Portalb.mk në të kaluarën disa herë ka kërkuar qëndrim nga kompania “Ecolog” në lidhje me stadiumin, por pa marrë përgjigje nga atje.

Paraprakisht, Kasami në muajin maj theksoi se vjeshta ishte afati i pritshëm për fillimin e punimeve, por aso kohe pa dhënë detaje.

Ndërkaq, edhe vitin e kaluar disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti, por kjo nuk ndodhi.

Rikonstruimin e stadiumit kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.