10 portalet që lavdërojnë BDI-në dhe shajnë kundërshtarët
Radio Evropa e Lirë ka zbuluar 10 portale të regjistruara në emër të kompanisë “Infinite Solutions 2023”, ndërsa në gjysmën prej tyre së fundmi ka pasur një sulm të orkestruar ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. Hajka pasoi pas deklaratës së saj se ka presione politike për të ringjallur abolimet e presidentit Ivanov dhe për të lehtësuar mundësinë e kthimit të ish-kryeministrit në arrati, Nikolla Gruevski. Artikujt e publikuar në portale i heton edhe ShGM, transmeton Portalb.mk.
Ilirijana Bajrami është emër i panjohur në skenën mediatike maqedonase. Por ajo zotëron kompaninë “Infinite Solutions 2023” e cila është pronare e 10 portaleve (me sa ka mundur të zbulojë REL) me përmbajtje informative, kryesisht në gjuhën shqipe, gjë që e bën atë një lloj “manjati mediatik” të padukshëm në hapësirën e internetit.
Më 8 nëntor 2023, partia Lëvizja Demokratike, e cila është pjesë e opozitës shqiptare “Koalicioni për Ndryshime Evropiane”, ka përmendur dy portalet nën ombrellën e “Infinite Solutions 2023” – desk.mk dhe redakcija.mk në gjuhën maqedonase, por edhe portalin indeks.mk, i cili publikon përmbajtje në gjuhën shqipe, si medium publik propagandistik i BDI-së kundër kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi.
Nga kontrollet rezulton se indeks.mk është portal në pronësi të “Shoqërisë për gazetari, veprimtari botuese dhe shërbime INDEX ONLINE DOO Import-Eksport Shkup”. Kompania është në pronësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami dhe Faton Shoshi. Bajrami figuron edhe si udhëheqës i kompanisë së regjistruar në maj 2021. Këtë e vërteton edhe adresa e emailit ([email protected]) e lënë gjatë regjistrimit të faqes në MARNET – rrjet i domeneve të regjistruara maqedonase, i cili është i njëjti i listuar në faqen e portalit në Facebook.
Dy portalet e tjera desk.mk dhe redakcija.mk janë në pronësi të “Infinite Solutions 2023”. Pronare dhe udhëheqëse e kompanisë është 32-vjeçarja Ilirjana Bajrami nga Vaksinca e Kumanovës.
Sipas kontrollit të REL për historikun e regjistrimit në Regjistrin Qendror më 17 nëntor (e premte), kompania është regjistruar tetë muaj më parë, në fund të marsit 2023. Kapitali i kompanisë kap vlerën e 308.000 denarë si depozitë jomonetare, në të cilën përfshihen pajisjet e zyrës, për të cilat është bërë vlerësimi nga vlerësuesi i autorizuar nga Kumanova.
Portali “Prizma” bëri të ditur këtë fundjavë se pronarja e “Infinite Solutions 2023”, Ilirjana Bajrami, është bashkëshortja e Kujtim Bajramit, i cili është shefi i kabinetit të drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Shoqëria aksionare prej gati tre javësh është objekt i një hetimi nga Policia Financiare për marrëveshjen e qirasë që ka lidhur me kompaninë “Hej DOOEL” në vlerën 2.6 milionë euro, sipas storjeve të publikuara nga REL.
REL kontaktoi me telefon Kujtim Bajramin, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve . Askush nuk iu përgjigj as numrit të telefonit të vendosur gjatë regjistrimit të domeneve të faqeve nga kompania “Infinite Solutions 2023” në Marnet.
Narrativë pozitive për BDI-në, negative për disidentët
Portalet desk.mk dhe redaksija.mk hyjnë në rrjetin e tetë portaleve të tjera, ose gjithsej 10, të cilat REL zbuloi se janë në pronësi të “Infinite Solutions 2023”. Kontrolli i faqeve të MARNET-it konfirmoi se të gjitha faqet janë të regjistruara në emër të kompanisë dhe si kontaktuese figuron Ilirjana Bajrami.
Skandal në gjyqësi: Besa Ademi është Katica Janeva e re!”, thuhet në titullin dhe tekstin që shfaqet tekstualisht në mënyrë identike në tri media online – debat.mk, revista.mk dhe politiko.mk. Teksti, i cili thuhet se është marrë nga portale të tjera, thotë se besimi në sistemin e drejtësisë është në nivelin më të ulët historik, duke drejtuar gishtin nga njeriu i parë i Gjykatës Supreme.
“Më përgjegjës për këtë situatë janë njerëzit e parë të drejtësisë dhe në krye të asaj piramide është kryetarja e Gjykatës së Lartë, Besa Ademi, detyrë e së cilës është të kujdeset për dhënien e drejtësisë dhe të korrigjojë gjykatat në juridiksionin e saj, duke krijuar opinione dhe qëndrime parimore për pyetje të caktuara”, thuhet në tekstin e publikuar në tre portalet.
Hajka mediatike ndaj gjyqtares Ademi është pjesë e atmosferës që u krijua pas iniciativës në Gjykatën më të lartë për ringjalljen e abolicioneve të ish-presidentit, Gjorge Ivanov, që do të lehtësonte seriozisht kthimin e Nikolla Gruevskit, raporton në hulumtimin e tij portali Prizma.
“Si të bëhesh milionere nga pozita e kryetares së Gjykatës Supreme: Katica Janeva me divane të dhuruara, ndërsa Besa Ademi me banesa dhe kompani”. Ky tekst është transferuar në dy faqe në gjuhën maqedonase – desk.mk dhe redaktija.mk.
“Kolegia e Besa Ademit, Katica Janeva, është bërë e njohur me divanin luksoz që ka marrë dhuratë për porositë e kryera politike. Afera për një divan dhuratë ende nuk mund të lidhet me Ademin, por kjo është arsyeja pse “meraku” e saj në pasuri të paluajtshme është e ngjashme me merakun e Katica Janevës, e cila gjithashtu ka injoruar shkrimet në media për pasurim joproporcional dhe madje mburrej se do të pasurohej edhe më shumë për gjatë mandatit të saj”, thuhet në tekste.
Përveç kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, në faqet shqiptare vërehen të njëjtat tekste të drejtuara kundër opozitës së bashkuar shqiptare – BESA, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa.
Për dallim prej tyre, pothuajse çdo i dyti apo i treti tekst në faqet nën ombrellën e “Infinite Solutions 2023” ka një narrativë pozitive ndaj BDI-së në pushtet – për liderin Ali Ahmeti, për zëvendëskryeministrin Artan Grubi apo për ministrat në Qeveri.
Përveç pronësisë, këto 10 portale i bashkon edhe një fije tjetër e përbashkët – anonimiteti. Inspektimi i faqeve tregoi se asnjëra prej tyre nuk ka gjurmë – emrin dhe mbiemrin e kryeredaktorit, përbërjen e redaksisë së gazetarëve, informacionin e kontaktit apo pronësinë e medias. Përmbajtja e publikuar në portale nuk ka autor.
Këshilli i Nderit në ShGM: Kjo mënyrë informimi është shqetësuese
Detyra kryesore e Këshillit të Nderit në kuadër të ShGM-së si organ vetërregullues është të kujdeset dhe të promovojë parimet etike, kriteret dhe standardet e gazetarisë profesionale të përcaktuara në Kodin e gazetarëve të Maqedonisë.
Këshilli i Nderit vepron sipas kërkesës dhe i shqyrton shkrimet e publikuara në portale, thotë kryetari i organit, Sashe Dimoski.
“Dikush po mundohet të fshihet pas portaleve, për të cilat hulumtimet tona fillestare tregojnë se nuk bëhet fjalë për gazetarë që e shkruajnë këtë, e aq më pak se këta janë anëtarë të ShGM-së. Prandaj, krahas të gjitha shkeljeve të Kodit që shohim në këto tekste, do të shqyrtojmë seriozisht nëse ka anëtarë të mundshëm të ShGM-së në këto portale në të cilat nuk ka gjurmë apo të dhëna për personat që punojnë, në mënyrë që të mund të inicohen procedura për përjashtimin e tyre nga anëtarësimi në shoqatë, e cila ndër të tjera është punë themelore e Këshillit të Nderit, i cili monitoron zbatimin e Kodit në tekstet gazetareske”, thotë Sashe Dimoski, kryetar i Këshillit të Nderit në ShGM.
Një numër i madh shkrimesh mediatike deri më tani kanë zbuluar se praktika e hapjes së portaleve në periudhën parazgjedhore, të cilat shërbejnë për propagandë partiake të partive politike apo shpifje të kundërshtarëve, nuk është e panjohur.
Në raportin e fundit të Entit shtetëror për revizion për fushatat zgjedhore të partive nga viti 2021, auditorët kërkojnë rregullimin e Kodit Zgjedhor dhe përcaktimin e institucionit për monitorimin dhe raportimin e përfaqësimit mediatik zgjedhor të mediave elektronike (portalet e internetit). EShR gjithashtu thekson nevojën për të specifikuar kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë portalet për të pasur mundësi të aplikojnë për reklama politike në KSHZ. Por edhe kritere të qarta dhe precize për ndarjen e parave buxhetore për reklamat politike me pagesë në portalet e internetit.
Shkrimin origjinal mund ta lexoni KËTU.