FR i Lëvizjes BESA-Tetovë: Vendosja në funksion e Konviktit studentot në Tetovë mbetet një ëndërr e parealizuar për çdo student shqiptarë

Edhe pse në konkursin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës thuhej se pranimi në  Konviktin studentor në Tetovë do të jetë me kusht, pra nëse konvikti do të sigurojë kushte për punë deri më 1 tetor 2023, studentët të cilët kanë aplikuar dhe janë pranuar në konvikt, pavarësisht se kanë nënshkruar kontrata me MASH-in, ata ende nuk janë akomoduar në konvikt. Nga Forumi rinor i Lëvizjes BESA – Tetovë sot kanë reaguar përmes një kumtese, ku potencojnë se pushteti shkatërrimtar BDI – LSDM janë të gatshëm të investojnë në gjithçka, siç thonë, që është anti-qytetare, në dëm të rinisë dhe popullit shqiptarë, njofton Portalb.

Portalb disa herë deri më tani ka shkruar për këtë problematikë me të cilën ballafaqohen studentët, gjegjësisht me ndërtimin dhe vendosjen në funksion të Konviktit studentor në Tetovë.

Ata thonë se në arsimin fillor dhe të mesëm, po përfundon gjysmë vjetori i parë dhe fëmijët ende nuk kanë libra, zero investime në shkolla dhe në kabinete profesionale, si dhe kushte mizore.

“Edhe më e keqe është gjendja në arsimin e lartë, sidomos në universitetet shqiptare. Si çdo projekt tjetër, edhe Konvikti studentor në Tetovë po premtohet me dekada. Por përfundimi dhe vendosja në funksion i këtij objekti vazhdon të mbetet premtim i rremë dhe një ëndërr e parealizuar për çdo student shqiptarë. E derisa investimet në arsim dhe në projekte për zhvillimin intelektuale të rinisë vazhdojnë të jenë zero denarë, investimi i vetëm kapital i Qeverisë së Ali Ahmetit është në kazino, bastore, dhe në realizimin e tenderëve për tu pasuruar familjarët dhe të afërmit e BDI-së dhe LSDM-së. Andaj e pyesim Qeverinë e Ali Ahmetit, pse lënë rrugëve studentët shqiptarë dhe nuk e vendosin në funksion konviktin në Tetovë, vallë, a mos dëshirojnë që edhe këtë ta shndërrojnë në kazino, siç po shndërrojnë në objekte të kumarit restorantet e dasmave, duke u paguar nga buxheti i qytetarëve miliona euro qira?”, pyesin nga FR i Lëvizjes BESA – Tetovë.

Të rinjtë e Lëvizjes BESA potencojnë se zvarritja e hapjes së konviktit nuk mund të ketë asnjë arsyetim tjetër, vetëm se pritjen e momentit që ky objekt të privatizohet dhe të përdoret për interesa të ndonjë funksionari të BDI-së. Thonë se  ata si Rini e Lëvizjes BESA këtë gjë nuk do ta lejojmë, se ne, siç thonë, jemi shkatërrimtarët krimit të pushtetit BDI-LSDM.

Kërkojnë që paratë e destinuara për investime në kumar të destinohen për funksionimin të konviktit dhe vendosjen e studentëve në të.

Në këtë konvikt janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.

Deri më tani në këtë konvikt, sipas të dhënave nga rezultatet e konkursit në ueb-faqen e MASh-it janë pranuar 33 studentë të vitit të parë dhe 49 studentë nga viti i dytë e lartë.

Ndërkaq në konkursin e MASh-t thuhej se pranimi në këtë konvikt do të jetë me kusht, pra nëse konvikti do të sigurojë kushte për punë deri më 1 tetor 2023.

Konvikti studentor në Tetovë u promovua vazhdimisht nga qeveritarët si nga ministri i Arsimit, Jeton Shaqirizëvendësministri i ArsimitAgim Nuhiupor edhe nga zëvendëskryeministri, Artan Grubi se do të jetë gati për vitin e ri akademik i cili filloi më 1 tetor, por kjo nuk u bë.

Për këtë konvikt janë bërë maratonë premtimesh.

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë.

Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Premtimi më i fundit ishte se konvikti do të lëshohej në përdorim në fillim të tetorit të këtij viti për vitin akademik 2023/24, megjithatë nuk u bë.

Konvikti u formalizua më 22 gusht me vendim të Qeverisë.

Përndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.