Konvikti i Tetovës gati, pritet të lëshohet në përdorim për studentët këtë semestër
Konvikti studentor shtetëror në Tetovë është gati për të filluar me punë, kështu thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) për Portalb.mk. I njëjti pritet të lëshohet në funksion muajin e ardhshëm, konkretisht kur edhe fillon viti i ri akademik 2023/24. Deri tani kanë aplikuar 100 studentë, ndërsa vend ka edhe për 200 të tjerë.
MASh thotë se i ka përfunduar obligimet në lidhje me sigurimin e kushteve për fillimin e punës në konviktin e studentëve në Tetovë.
“Mbeten të tejkalohen vërejtjet minimale teknike për infrastrukturën, mirëpo ato nuk ndikojnë që konvikti të fillojë punën. Është zgjedhur drejtori dhe shpresojmë se së shpejti, gjatë muajit të ardhshëm, institucioni të fillojë dhe do të realizojë me sukses punën e tij, në fokus të së cilit janë interesat e studentëve”, thanë nga MASh.
Konvikti shumë i premtuar i Tetovës muajin e kaluar, konkretisht më 22 gusht me vendim të Qeverisë edhe u formalizua.
Sipas konkursit të publikuar nga Ministria e Arsimit për pranim në konviktet studentore, për konviktin e Tetovës thuhet se pranimi do të bëhet me kusht, pra vetëm nëse konvikti do të sigurojë kushte pune deri më 1 tetor 2023.
Në këtë konvikt sipas konkursit, janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.
Ministria e Arsimit për Portalb.mk bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar 100 studentë.
Studentët të cilët aplikojnë në Konkurs duhet të plotësojnë fletëaplikim elektronik dhe t’ia bashkëngjisin dokumentacionin përkatës në internet portalin http://e-uslugi.mon.gov.mk. Studentët mund të konkurrojnë për pranim vetëm për një konvikt studentor. Afati për aplikim i të gjithë studentëve zgjati deri më 11.09.2023. Nëse pas publikimit të listave përfundimtare me studentët e pranuar në konvikte, nëse mbeten vende të paplotësuara për akomodim në ndonjë konvikt, aplikimi do të vazhdojë deri në plotësimin e të njëjtave, por më së voni deri më 30.11.2023.
Maratonë premtimesh për konviktin studentor
Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.
Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.
Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.
Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.
Ndërkaq premtimi më i fundit është se konvikti do të lëshohet në përdorim në tetor të këtij viti për vitin akademik 2023/24.
Përndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.
- LEXO: U formalizua themelimi i konviktit të Tetovës, pritet të lëshohet në funksion në tetor
- LEXO: Çfarë do të ndodh me studentët nëse Konvikti i Tetovës nuk do jetë gati? MASh pa përgjigje, FNA: Në rrugë
- LEXO: Konkursi për konvikte i MASh-it: Në konviktin e Tetovës pranimi me kusht – nëse konvikti do sigurojë kushte pune deri në tetor
- LEXO: “Konvikti i Tetovës i gatshëm për këtë vit akademik” – do të ketë konkurs të veçantë pranimi, paralajmëroi Shaqiri