Nuk ka informacion për policët e arrestuar në Serbi
Autoritetet në Serbi nuk kanë ofruar informacione lidhur me tre zyrtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët autoritetet e Kosovës besojnë se janë rrëmbyer nga Serbia, ndërsa Beogradi pretendon se ata janë arrestuar në territorin serb.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) për vendndodhjen e policëve të arrestuar, nëse ata janë intervistuar nga prokurori dhe për çfarë vepre penale akuzohen.
REL-i i ka kontaktuar edhe prokuroritë në Rashkë, Kralevë dhe Beograd, lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.
Autoritetet në Serbi kanë bërë të ditur të mërkurën se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë arrestuar në zonën afër Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë.
Rashka ndodhet në jugperëndim të Serbisë, afër pikëkalimit me Kosovën.
Policia e Kosovës ka thënë se ata janë rrëmbyer gjatë një patrullimi në zonën Tresave – Bare, në komunën e Leposaviqit, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
REL-i ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Policinë e Kosovës.
Për momentin, as këto institucione nuk kanë dhënë ndonjë informacion.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 15 qershor se autoritetet serbe u qasen në mënyrë të duhur policëve të Kosovës dhe nuk i keqtrajtojnë.
Në një konferencë për shtyp, pas takimit me presideten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Vuçiq ka thënë se të arrestuarit kanë deklaruar se “GPS-ja e tyre nuk ka funksionuar dhe kanë qenë në kërkim të kërpudhave”.
Sipas tij, njëri ka deklaruar se nuk e ka ditur ku është saktësisht kufiri.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë, dhe ka thënë se është “i habitur nga heshtja e tyre”.