Bundestagu sot do të votojë për rezolutën për njohjen e kulturës, gjuhës dhe identitetit maqedonas

Rezoluta për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE do të jetë në rend dite para deputetëve të parlamentit gjerman – Bundestagut. Kjo rezolutë u propozua nga grupet parlamentare të socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve dhe vetë dokumenti është një tekst me tre faqe me 13 rekomandime për qeverinë gjermane se çfarë duhet të bëjë për të mundësuar zhvillimin më të shpejtë të anëtarësimit të RMV-së në BE, transmeton Portalb.mk.

Njohja e kulturës, identitetit dhe gjuhës maqedonase konfirmohet që në fillim të rezolutës, ku thuhet se gjuha dhe kultura maqedonase do ta pasurojnë edhe më shumë këtë diversitet në nivel të BE-së.

Në një prononcim për Deutsche Welle, deputeti gjerman nga grupi parlamentar i liberalëve, Thomas Hacker, thotë se me këtë rezolutë Bundestagu dëshiron të inkurajojë Maqedoninë e Veriut që nga vera e vitit 2022 të zbatojë kompromisin me Bashkimin Evropian.

“Zbatimi i kompromisit nuk do të çojë në humbjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit maqedonas, siç frikësohen nga disa persona të ekspozuar politikisht në Maqedoninë e Veriut”, beson Haker. Sipas deputetit, përmbushja e marrëveshjes do t’i mundësojë Shkupit të hapë klasterin e parë të negociatave dhe kjo, thotë Hakeri, “është e një rëndësie vendimtare”.

Si një nga kërkesat që përmban rezoluta, drejtuar qeverisë gjermane, është detyrimi që ajo t’i bëjë thirrje Bullgarisë që në kuadër të kompromisit të arritur të mbështesë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe të përmbahet nga kushte shtesë.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.