Nuk dihet se sa të qëndrueshme janë objektet ndaj tërmeteve në Tetovë, komuna formoi komision vlerësimi

Se sa të qëndrueshme janë objektet në Tetovë ndaj tërmeteve nuk dihet pasi nuk ka ndonjë elaborat konkret. Për këtë arsye, të gjithë anëtarët e Këshillit Komunal të Tetovës miratuan vendimin me të cilin u formua Komision i cili do të kryejë vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit ndaj veprimeve sizmike të objekteve publike, kolektive si dhe objekteve të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Ky vendim është i një rëndësie të madhe për udhëheqësin e Sektorit të urbanizmit dhe menaxhimit me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës, Rilind Selmanin. Ai thotë se Maqedonia e Veriut gjendet në shkallën e nëntë të tërmeteve në mileniumin e dytë dhe gjendet në vijën e zjarrtë. Ai theksoi se nuk kanë evidentim të objekteve në terren sepse shumica prej objekteve kanë marrë statusin juridik vetëm me një elaborat gjeodezik, nuk kishin identifikim të objekteve se cilët kanë leje ndërtimi, cilët janë me legalizim dhe cilët objekte nuk kanë aspak status juridik.

“Për këtë shkak e formojmë komisionin që të del në terren të bëjë identifikimin e atyre objekteve të cilët në qoftë se ka ndonjë rast në strukturën e tyre, të jenë të dëmtuara apo nevojitet inspektim i mëtutjeshëm atëherë do kë kemi edhe laboratorë të ndryshme të cilët do të japin propozime të tjera, kurse komisioni do të bëjë vetëm identifikimin vizual të objekteve, në qoftë se ato janë të dëmtuara apo nevojitet ndonjë përforcim ndaj tyre”, tha Selmani.

Komisioni do të ketë pesë anëtarë të fushës së ndërtimtarisë, dy të brendshëm të punësuar në Komunën e Tetovës dhe tre të jashtëm.

Mirëpo, këshilltari komunal nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSh), Visar Palloshi duke përgëzuar nismën shtron pyetjen se cilat institucione konkretisht do të inspektohen.

Selmani nga Sektori i urbanizmit sqaroi se në gjashtë mujorin e parë do të bëhet inspektim ndaj objekteve kolektive publike dhe ato të cila janë të mbrojtura nga trashëgimia kulturore.

“Pastaj pas gjashtë muajsh në qoftë se kemi raport dhe të shohim mbikëqyrjen e këtij komisioni se si do të vazhdojë, pas gjashtë muajsh do të fillojmë edhe me objektet individuale. Por njëherit e kemi parasysh këto të cilat paraqesin rrezik më të madh potencial ku jetojnë më shumë banorë, objekte publike dhe banimi kolektiv”, tha Selmani.

Palloshi thekson se për objektet publike është e pranueshme dhe e padiskutueshme, mirëpo për objektet private ai është në mëdyshje.

“Për objektet private si mendoni që komisioni të hyjë nëpër shtëpi dhe të analizojë objektet dhe shtëpitë individuale. Se di a është e kapshme kjo për objektet individuale. Çka nëse del që ai objekt nuk është i qëndrueshëm (për objekte individuale flasim), a do duhet të paguajë individi ekstra shtesë diçka, a duhet të bëjë ndonjë projekt shtesë diçka”, tha Palloshi.

Selmani theksoi se komisioni për momentin nuk i tangon objektet individuale dhe se gjashtë mujorin e parë do jetë për objektet kolektive, publike dhe të trashëgimisë kulturore.

“Pjesën individuale do ta shohim në baza juridike si është dhe njëherit ne kur do të trokasim në derë do të kërkojmë dokumentacionin e nevojshëm për objektin, në qoftë se ka leje ndërtimi atëherë automatikisht e dimë se ka mendim nga institucioni për sizmologji, por në qoftë se nuk ka me leje ndërtimi, ka me legalizim atëherë është e nevojshme të bëhet inspektim vizual për të mirën e qytetarit, komisioni do të jap sugjerime, në qoftë se duhet të përforcohet konstruksioni atëherë automatikisht do të thirret një laborator përkatës që në vend ngjarje do të bëjë inspektim të mëtejshëm ku do shikohen kriteret për strukturën që janë të nevojshme”, tha Selmani.

Këshilltarja nga Lëvizja Besa, Halime Rustemi propozoi që të fillohet nga shkolla fillore “Liria”, si objekt më i vjetër.

Ndërkaq këshilltari komunal nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Sali Elmazi propozoi që komisionit t’i vihen në dispozicion mjete.

“Për shkak se inspektimi i objekteve është i kushtueshëm, gjithashtu edhe institucionet tjera të krijojnë lidhjet e tyre me zjarrfikësit me të gjithë për mbrojtje nga katastrofat e mundshme në vendin tonë”, tha Elmazi.

Kujtojmë që me 12 janar në disa qytete të vendit u ndje tërmet prej 3.8 gradësh, ndërsa dy ditë më vonë me 14 janar tërmeti prej 4.5 shkallësh që ndodhi në Shqipëri u ndje edhe në disa qytete të Maqedonisë së Veriut.