Tërmet prej 3.8 gradë është ndjerë në disa qytete të RMV-së

Një tërmet me intensitet 3.8 gradë është ndjerë mbrëmë në Ohër, Strugë, Resnjë, Manastir dhe Kavadar. Epiqendra e tërmetit ishte në Prespë, 120 kilometra nga Shkupi. Tërmeti ka shkaktuar ankth tek qytetarët, ndërsa sipas të dhënave fillestare nuk raportohet për dëme materiale, transmeton Portalb.mk.

Tërmeti është ndjerë në orën 00:30 me epiqendër 120 km në jug të Shkupit, në zonën epiqendrore të Prespës, me magnitudë lokale Rihter 3.8 ballë.

“Sipas të dhënave të deritanishme që disponon observatori, tërmeti është ndjerë në Ohër, Strugë dhe Resnjë me intensitet të shkallës IV sipas shkallës makrosizmike evropiane, në Manastir, Kavadar dhe rrethinë me intensitet të shkallës III sipas të njëjtës shkallë. Përveç ankthit te qytetarët, sipas të dhënave fillestare nuk janë raportuar dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Observatorit Sizmologjik.