Noterët e Maqedonisë së Veriut kërkuan rritje të tarifave, theksuan se ato nuk kanë ndryshuar prej kohësh

Noterët kërkon rritje të një pjese të tarifave, të cilat thonë se nuk janë rritur për më shumë se 25 vjet. Metodija Ristoski nga Oda e noterëve dha shembull konfirmimin e një dokumenti privat të solemnizimit në vlerë prej 500 mijë denarëve, për të cilin sipas tij, avokati merr 3,900 denarë ndërsa noteri merr vetëm 2,000 denarë. Ankesa ka edhe për shërbimet publike si notarizimi i faturave të ujit, energjisë elektrike, e të tjera. Sipas Odës  në faturën prej 3,000 denarëve, noteri merr 300 denarë, ndërsa avokati merr 1,300 denarë + TVSH, raporton TV21.

“Absolutisht po, dhe jemi në korelacion me Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë, që të gjejmë një zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët, në mënyrë që të shmangin ngarkimin e buxhetit të qytetarëve, por të jetë e kapshme edhe për neve noterët”, tha Metodija Ristoski, kryetar i Odës së Noterëve.

Kryetari i Këshillit të Noterëve Marjan Kocevski, ankohet edhe për ndryshimet ligjore nga viti 2016 që futën pjesëmarrjen e detyrueshme të avokatëve në procedurat para një noteri,  duke ndarë në dysh tarifat noteriale. Si shembull ai mori Kumanovën, ku sipas numrit të popullsisë duhet të kishte 7 noterë, jo 14 sa ka tani.

Si pjesë të problemit, ata përmendin ndryshimet ligjore që lejojnë heqjen e koeficientit të noterëve, duke kërkuar të ketë të paktën një noter në çdo 20 mijë qytetarë. Sipas të dhënave noteriale në vitin 2000 kishte vetëm 100 noterë, ndërsa tani në 2024 ka 220 noterë të certifikuar në nivel vendi, ndërkohë noterët vlerësojnë se në Maqedoninë e Veriut janë tarifat më të lira në rajon.