Një të dyshuarit i vendoset masa e paraburgimit për transportimin e 324 kilogramëve marihuanë

Prokurori i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar pas kallëzimit penal të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi. Ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “Prodhim i paautorizuar dhe vënie në qarkullim e narkotikëve, substancave psikotrope”, shkruan Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, në periudhën nga shkurti deri më 14 gusht 2026, i dyshuari, së bashku me tre persona të tjerë ndaj të cilëve po zhvillohet procedurë në Greqi, si pjesë e një grupi më të madh, kanë organizuar në mënyrë të paligjshme furnizimin, mbajtjen dhe transportimin e drogës narkotike – marihuanë, me peshë totale neto prej 324 kilogramë e 474 gramë, me qëllim shitjen dhe vënien e saj në qarkullim.

Në fund të shkurtit të këtij viti, i dyshuari kishte blerë një kamion, ndërsa në fillim të marsit edhe një rimorkio, pas së cilës organizoi një transport të rremë të letrës së ricikluar të presuar nga Maqedonia e Veriut drejt Turqisë, përmes Bullgarisë.

Pasi përfundoi formalitetet doganore, më 8 mars 2026 ai u largua nga territori i Maqedonisë së Veriut me kamionin dhe rimorkion në drejtim të Bullgarisë. Megjithatë, në vend që të vazhdonte për në Turqi, ai shkoi në Greqi, ku e la automjetin me rimorkio në një hapësirë të mbyllur me qira në Selanik.

Atje u takua me dy nga të dyshuarit ndaj të cilëve po zhvillohet procedurë në Greqi, njëri prej të cilëve është i paarritshëm për organet e ndjekjes penale, dhe ranë dakord për transportin e mëtejshëm të drogës, pasi ajo të fshihej në ngarkesën me letër të ricikluar.

Pas sigurimit të drogës, dy nga të dyshuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, në periudhën nga 11 deri më 14 gusht 2026, e fshehën marihuanën në hapësira të krijuara paraprakisht brenda pakove të letrës së ricikluar.

Më 14 gusht 2026, në kuadër të operacionit “Vardaris”, policia greke arrestoi dy nga të dyshuarit dhe kreu kontroll në hapësirën e marrë me qira. Atje u gjet rimorkioja, nga e cila më parë ishin hequr targat e regjistrimit. Në katër paleta të vendosura në pjesën e pasme të rimorkios, si dhe në katër paleta të tjera përpara tyre, u gjet sasia e lartpërmendur e drogës narkotike – marihuanë.

Prokurori publik vlerësoi se, nëse i dyshuari mbrohet në liri, ekziston rreziku që ai të arratiset, të pengojë procedurën penale duke ndikuar te bashkëpunëtorët dhe dëshmitarët ose ta përsërisë veprën penale. Për këtë arsye, te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup u dorëzua propozim për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjyqtari e pranoi propozimin dhe me vendim të marrë dje i caktoi të dyshuarit 30 ditë paraburgim.

Ndryshe, javë më parë në burgun e Idrizovës janë zbuluar 32 pako me marihuanë të cilat i ishin futur përmes një dërgese për një të burgosur. Drogën e gjetur e kanë marrë zyrtarët policorë për procedurë të mëtejshme.