Sekuestrime, arrestime dhe kallëzime penale, një muaj nga formimi i Task Forcës për luftën kundër drogës në RMV
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se një muaj pas formimit të Task Forcës për luftën kundër tregtisë së paligjshme të drogës, janë shënuar rezultate të konsiderueshme në luftën kundër drogës, transmeton Portalb.mk.
Sipas MPB-së, gjatë këtij muaji janë sekuestruar 43.3 kilogramë marihuanë, 693.37 gramë kokainë, 141.42 gramë hashash, 691.34 gramë amfetaminë, 50 gramë kërpudha halucinogjene, 541 tableta ekstazi, 69 tableta LSD dhe 14 tableta MDMA.
Gjithashtu, është ndërprerë një transport ndërkombëtar i rreth 25 kilogramëve marihuanë në pikën kufitare Deve Bair.
Në kuadër të aksioneve janë paraqitur 21 kallëzime penale ndaj 29 personave, janë kryer 131 kontrolle në shtëpi dhe objekte, si dhe 935 kontrolle të automjeteve dhe 1.078 kontrolle të personave.
Në total, 241 persona janë arrestuar ose privuar nga liria për vepra të ndryshme që lidhen me tregtinë e paligjshme të drogës.
Nga MPB-ja thonë se lufta kundër tregtisë së paligjshme të drogës do të vazhdojë me intensitet edhe më të madh.