Ligji për Arsimin e Lartë në RMV, Janevska pret që Kuvendi t’i miratojë ligjet dhe kërkoi të hiqet Badenteri

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në RMV, Vesna Janevska, thotë se nuk është në rregull që shumica e Badenterit të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike dhe atë pikërisht përmes arsimit. Në procedurë parlamentare janë tre ligjet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë – por ato janë bllokuar nga partitë opozitare shqiptare, ku këmbëngulin që gjatë miratimit të tyre të zbatohet parimi i Badenterit, shkruan  transmeton Portalb.mk.

“Miratimi i tyre është bllokuar përmes mekanizmit që quhet Badenter. Është e njohur përgjithësisht se ai është keqpërdorur në të kaluarën dhe se Qeveria dëshiron të bëjë një ligj më të mirë për përfaqësimin e drejtë, gjë të cilën unë personalisht, e përsëris shumë herë, e mbështes maksimalisht. Po, të drejtat e komuniteteve më të vogla në shtet duhet të mbrohen”, tha Janevska në konferencën për media më 6 gusht, ku u prezantuan rezultatet e maturës shtetërore.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se deri ku ka arritur Ligji për Arsimin e Lartë, Janevska tha se ligji ka kaluar një procedurë të gjatë dhe shumë transparente, gjatë së cilës grupi i punës nga Ministria ka pranuar shumë vërejtje nga komuniteti akademik.

Ministrja thotë se gjithmonë do të ketë një pjesë më të vogël që do të jetë e pakënaqur me diçka, por shumica e komunitetit akademik e ka pranuar ligjin në formën e tij aktuale.

“Po, për miratimin e ligjeve në fushën e arsimit nevojitet Badenteri, apo jo, ajo që është në fuqi, dhe kjo është, siç them sërish, një mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave, për shembull, mbrojtjen e mësimit në gjuhën amtare. Këto tri ligje nuk kanë të bëjnë fare me një problem të tillë. Këtu flasim për elemente thelbësore, për organizimin e arsimit të lartë, për cilësinë e profesorëve, për më shumë punë praktike gjatë studimeve. Pra, për disa elemente që shteti duhet t’i ketë nëse duam të kemi arsim të lartë të qëndrueshëm dhe kuadër cilësor. Dhe kjo nuk është një frazë boshe, por ka të bëjë me njerëzit që në të ardhmen duhet ta udhëheqin dhe ta mbrojnë këtë shtet”, shpjegoi Janevska.

Ajo shtoi se nuk ka asgjë kundër që në Kuvend të ketë diskutime të mëtejshme dhe të gjata, por duhet të fillohet të diskutohet për secilin nen veç e veç, duke theksuar se Qeveria ka të drejtë të zbatojë politikën e saj qeveritare.

“Çfarë kërkojnë ligjet nuk është në dëm të askujt, por është në të mirë të të rinjve dhe në të mirë të kuadrit arsimor”, tha Janevska.

Janevska thotë se është informuar se do të ketë edhe një debat tjetër publik parlamentar, të cilin e pranon me kënaqësi, sepse beson se do të gjenden zgjidhjet që këto ligje të miratohen sa më shpejt.

“Çdo ditë e humbur është një ditë e humbur për të rinjtë në këtë shtet, ndërsa e dini se shifrat janë dëshpëruese. Nëse u sigurojmë arsim të lartë cilësor, nëse u sigurojmë arsim të lartë bashkëkohor, njohuri, aftësi dhe kompetenca me të cilat do të mund të hyjnë në tregun e punës ose në komunitetin akademik, do të kemi brenda 5–10 vitesh të rinj vërtet të përgatitur, të cilët do të mund të kujdesen për këtë shtet: për ekonominë, bujqësinë, arsimin e lartë, shëndetësinë, arsimin… gjë që në këtë moment, të gjithë e dini, është një sekret publik se nuk është kështu”, tha ministrja më 6 gusht.

Në një intervistë për MIA-n, të publikuar më 14 gusht, Janevska tha:

“Besoj se arsyeja do të mbizotërojë dhe se Kuvendi do të gjejë forca për t’i tejkaluar çështjet politike, përkatësisht që këto tri ligje të mos përdoren për zgjidhjen e ndonjë çështjeje tjetër. Sidomos për faktin se ne, me të vërtetë, jemi pak me vonesë dhe nuk kemi kohë që të fusim dhe të diskutojmë politikisht për diçka që është kaq e rëndësishme. Jam thellësisht e bindur se arsyeja do të mbizotërojë, sepse kjo është në të mirë të të gjithë të rinjve në vend”.

Janevska shtoi se në të gjitha universitetet janë ulur në mënyrë të përshtatshme kuotat për regjistrimin e studentëve në vitin e parë, pasi tregu i punës është i ngopur me disa profile dhe ka të papunë, ndërsa në profile të tjera punësimi është shumë i lartë dhe në disa raste ka edhe mungesë të kuadrit.

Në prag të regjistrimeve në universitete, ministrja tha në intervistë se këtë vit në të gjitha universitetet janë ulur rreth 2.000 vende, por është e bindur se të gjithë studentët do ta gjejnë vendin e tyre aty ku dëshirojnë të studiojnë.

“Ka pasur ulje më të madhe në profilet e biznes-administrimit, administratës publike, në disa programe të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, sepse aty paraqitet një numër më i madh i të papunëve, si dhe në profilet mjekësore. Në dallim nga kjo, profilet teknike, informatika, makineria dhe ndërtimtaria kanë mbetur pothuajse të njëjta. Aty punësueshmëria është në nivel të shkëlqyer dhe arrin diku në 98–99 për qind”, deklaroi Janevska.

Ndryshe, votimi i dyfishtë ishte zgjidhja më origjinale e Marrëveshjes së Ohrit. Ai kërkon që ligjet mbi kulturën, gjuhën, arsimin, dokumentet personale dhe simbolet të miratohen edhe me shumicë të deputetëve joshumicë të pranishëm, duke u dhënë atyre praktikisht të drejtë vetoje.

Në praktikë, ky mekanizëm nuk është një formulë e vetme, por tri formula të ndryshme me prag dhe fushëveprim të ndryshëm, dhe kjo hapësirë interpretimi po keqpërdoret. Lista e fushave që kërkojnë votim të dyfishtë në Kuvend nuk përkon me listën përkatëse në nivel komunal. Arsimi është shembulli më i dukshëm: ai mbrohet nga procedura kur për të vendoset në qeveri, por jo kur për të vendoset në komunë, edhe pse kompetencat arsimore u bartën te komunat që në vitin 2005. Vendimet buxhetore, përfshirë investimet kapitale, mbeten tërësisht jashtë mekanizmit të Badinterit, ndonëse pikërisht shpërndarja e fondeve mes komunave është një nga problemet më të mëdha në vend.

Me rishikimin e Badinterit në vitin 2015 u planifikuan tri korrigjime më të mëdha dhe u rekomandua formimi i një grupi ekspertësh. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, asnjëra nuk është ndjekur dhe grupi nuk është formuar.