Një fillim i ri

Kjo është koha kur fillon viti i ri akademik në univeristete. Është koha kur të rinjtë që sapo kanë hyrë në moshën madhore, drejtohen drejt dyerve të universiteteve ku do të fitojnë njohuri të reja mbi profesionin që ata e kanë zgjedhur. Është koha kur të rinjtë dalëngadalë po bëhen të ditur, dhe kalojnë nga adoleshenca në pjekuri. Është koha kur para tyre hapen dyer të reja drejt njohurive dhe eksperiencave që do t’i formojnë ata si njerëz me karaktere të ndryshme e me profesione të caktuara. Është koha për një fillim të ri.

Të rinjtë sot kanë mundësi të panumërta për të përparuar. Bota është vetëm një top i vogë në pëllëmbën e tyre në këtë kohë kur lëvizja e lirë e qytetarëve është më aktuale se kurrë. Tani të rinjtë nuk janë të kufizuar me njohuritë që mund ti marin në fakultet nga profesorët e tyre. Deri sa ndjekin studimet, ata mund të ndjekin mësime onlajn nga universitetet më prestigjioze në botë, nga komoditeti i shtëpisë së tyre. Deri sa janë studentë, ata mund të shkojnë për një semestër, për një vit akademik, ose për një studim tërësisht të ri në universitete evropiane e amerikane përmes programeve të ndryshme si Erasmus+ dhe Fulbright. Deri sa janë studentë ata mund të punojnë në kompani vendase e të huaja, mund të punojnë nga shtëpia e mund të vazhdojnë studimet dhe mund të kryejnë punë praktike në shumë vende ku në kohën tonë ishte e paimagjinueshme edhe të udhëtosh. Për gjeneratat e reja, kufiri i dijeve është qielli, pra kufiri nuk eksiston.

E megjithatë, kujfijtë më të ashpër janë ata që ne ia vendosim vetvetes. Kufizohemi me gjërat që na duken interesnate për ti bërë e na konsumojnë shumë kohë pa asnjë përfitim. Menaxhimi i kohës është sfidë e madhe për të rinjtë që duhet të vendosin prioritete në përvetësimin e informatave të shumta që u vinë nga çdo anë. Në këtë kohë, kur gjithçka është në internet e ne jemi të ngulitur tek ekranet, është e vështirë të mbahet rendi dhe higjiena e trurit të bombarduar me informacione të shumta të parëndësishme, bile edhe të dëmshme. Prandaj, sfida më e madhe te të rinjtë është ky menaxhim i kohës nga çka varet edhe suksesi i tyre në të ardhmen dhe formësimi i personalitetit të tyre.

Disiplina ka qenë gjithnjë e rëndësishme në studime, por, tani është më e rëndësishme se kurrë, sepse shpërqëndrimi i vëmendjes është aq i shpeshtë, sa që njeriu ka nevojë për një vetë-disiplinë të hekurt për të mundur të arrijë atë që dëshiron në jetë.

Por ajo që ka rëndësi është se sot qasja ndaj diturisë nuk ka kufi. Diturinë të rinjtë e sotëm e kanë në pëllëmbë të dorës, me më shumë mundësi se kurrë për t’u avansuar në njohuritë dhe shkathtësitë e tyre. Librat janë onlajn dhe të qasshëm për të gjithë. Informatat për gjërat më aktuale në botë dhe zhvillimet më të reja janë vetëm një klikim larg. Gjithçka që nevojitet është përkushtimi, puna e mençur dhe menaxhim i mirë i kohës. Në këtë mënyrë, suksesi nuk do të mungojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.