Bullizmi në “ADN”- Sonte premierë në Teatrin e Shkupit nën regjinë e Fatos Berishës

Teatri Shqiptar i Shkupit jep premierën e dytë për këtë sezon. Javën që kaloi para publikut shfaqi “Vdekja dhe virgjëresha” me regjinë e Afërdita Nuhijut dhe tekst të Dorfmanit, ndërsa kësaj radhe regjisori Fatos Berisha ka punuar një tekst bashkëkohor nga Dennys Kelly që quhet “ADN” dhe do të jepet sonte në ora 20:00 në Teatrin Shqiptar të Shkupit, njofton Portalb.mk.

Tema qendrore e shfaqjes është Bullizmi. Janë një grup njerëzish që duhet të veprojnë në grup dhe mes tyre ka një kufomë. Kufoma vjen si pasojë e talljes së grupit, një grup gangsterësh që tallin shokun e tyre të klasës Adamin i cili bie në një gropë. Në përpjekje e sipër për të fshehur fajin, implikojnë një njeri të pafajshëm.

Regjisori Fatos Berisha për Portalb.mk thotë se përmes kësaj shfaqjeje dhe teksti parashtrohet një pyetje: Bullizmi është i lindur, pra e kemi në ADN, apo fitohet më vonë?! Në pyetjen se nëse ka përgjigje, Fatosi u përgjigj prerë: “jo, nuk kemi dhënë përgjigje, përgjigjja i ngelet në dorë publikut.”

Të rinj të arsyeshëm e të paarsyeshëm, agresivë. Bullistë që nxisin për bullizëm të tjerët përreth dhe padashje së bashku janë bashkëfajtorë. Monologët e një personazhi të quajtur Lea janë më të spikaturit dhe më interesantët, janë kumbues dhe që të bëjnë të mendosh:

‘’Majmunat bonobo ishin specia ma e afërt me neve. Me vite njerzit kanë mendu që jan’ shimpanzat, por s’ishin. Ata jan’ krejtë ndryshe. Jan’ t’poshtër. E mbysin njoni tjetrin. A e ke ditë kët’ send? E mbysin, edhe ndoj her’ e torturojnë njoni tjetrin për me marr pozitë ma t’mirë n’strukturën sociale. Shimpanza mbetë jashtë grupit edhe veç kur e sheh vetën tuj e ndjekë e sulmu tjertë, nganjihere me muaj të tanë. Për shumë vite kena mendu që shimpanzat jan’ specia ma e afërt me neve, por tash po thojnë që janë bonobot. Bonobot janë krejtë e kundërta e shimpanzave.’’

Në shfaqje luajnë aktorë të rinj të Teatrit Shqiptar të Shkupit të cilët kishin krijuar një atmosferë shumë të mirë.

Në shfaqje luajnë: Sara Bajrami, Visar Etemi, Abedin Alimi, Sabina Memishi, Fisnik Zeqiri,

Mentor Kurti, Rrahim Ramadani, Gentiana Ramadani, Genci Mirzo, Arben Rasimi,

Hetem Etemi. Kostumografe e shfaqjes:  Alma Krasniqi dhe skenograf: Bujar Muça.

Shfaqja pasi të jepet në Teatrin Shqiptar të Shkupit do të udhëtoj për në Festivalin ‘’ Teatri Shqiptar në Maqeodoni’’ që mbahet në Dibër dhe do të bëj hapjen këtë fundjavë.

Kujtojmë që paralelisht po punohet për premierën e radhës në këtë teatër.