Sot kemi inflacion emisionesh ku shfaqen “vipat” që vuajnë nga snobizmi dhe provincializmi. Derisa ata flasin për luks, pjesa më e madhe e njerëzve mezi mbijetojnë me rrogën mujore.
Në kohën e gjithologëve që afirmojnë kauza të kota, në kohën e spektaklit, cektësisë e rëndomësisë, ka emisione të pakta ku realiteti shfaqet ashtu siç është. Njëri prej tyre është “Histori shqiptare”, ku nuk duken vipat e azdisur dhe shumëfishuesit e klisheve, por njerëz të thjeshtë, të panjohur, punëtorë dhe të fisëm.
Në emision nuk shfaqet bota e mërzitshme njëngjyrëshe, por një botë ekzotike, e bukur dhe joshëse edhe për turistët.
Nëpërmjet këtij emisioni, ku shfaqen bukuritë magjepsëse të viseve shqiptare, e njohim më mirë gjeografinë, historinë dhe përditshmërinë tonë.
Autorja nuk shfaq shenja snobizmi dhe arrogance, por shpreh vlerësim për “njeriun e vogël” me zemër të madhe.
“Histori shqiptare” i ka në fokus njerëzit që jetojnë nga djersa e tyre dhe kontribuojnë edhe për jetën e përbashkët.
Emisioni ndriçon anët e fshehta të botës sonë dhe afirmon bukurinë e kulturës dhe të traditave shqiptare.
Një nga pyetjet themelore në gazetari është “Pse?”. Pse duhet të emitohen emisione pa përmbajtje që harrohen shpejt?
“Histori shqiptare” është emision që ka qëllim të fisëm. Është emision që na duhet.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.