Hapësira qytetare po ngushtohet, dezinformatat, IA dhe presionet janë sfidë e re për rajonin

Ngushtimi i hapësirës qytetare, pasiguria financiare, përhapja e dezinformatave dhe ndikimi i inteligjencës artificiale (IA) mbi proceset demokratike janë ndër sfidat kryesore me të cilat po përballen organizatat e shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor, Rajonit të Detit të Zi, Kaukazit dhe Azisë Qendrore. Për këto çështje u diskutua dje në konferencën e përbashkët ndërkombëtare “MEGAPHONE & e-Society 2026”, e cila mbahet në Shkup nën moton “We Hold the Line” (“E mbajmë linjën”). Konferenca organizohet nga Fondacioni “Metamorfozis” dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS, si pjesë e Nismës për Demokraci Digitale (DDI), raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në hapjen solemne të konferencës Filip Stojanovski nga Fondacioni “Metamorfozis” e theksoi nevojën për eksperimentim të vazhdueshëm, fleksibilitet dhe adaptim ndaj ndryshimeve që i sjell epoka digjitale. Ai theksoi se fuqia e vërtetë e transformimit digjital dhe kapaciteti për mbrojtjen e demokracisë është te njerëzit, njohuritë e tyre dhe bashkëpunimi i ndërsjellë. Ai e theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për sektorin civil, me ç’rast e përmendi CIVICUS, Danimarkën, Norvegjinë dhe Bashkimin Evropian si mbështetës të rëndësishëm të nismave të drejtuara drejt përforcimit të qëndrueshmërisë demokratike.

Në kuadër të sesionit “Ku jemi sot: Hapësira qytetare, dezinformatat dhe inteligjenca artificiale në rajonet”, Maja Durliq nga TechSoup prezantoi gjetje nga hulumtimi i cili përfshin 13 vende, i bazuar në 83 intervista me aktivistë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe analiza të gjendjes në katër nënrajone, të finalizuara në muajin shkurt të këtij viti.

Edhe pse sfidat dallojnë nga njëri vend në tjetrin, sipas gjetjeve të prezantuara organizatat e shoqërisë civile në rajon po përballen me presione të ngjashme që e rrezikojnë qëndrueshmërinë e tyre dhe mundësinë për të vepruar lirshëm.

“Në Ballkanin Perëndimor dominon paqëndrueshmëria strukturore, varësia nga mjetet e donatorëve dhe financimi afatshkurtër. Në Serbi organizatat e shoqërisë civile përballen edhe me presione ligjore dhe etiketim si ‘agjentë të huaj’. Posaçërisht shqetësuese është situata në Kaukaz, para së gjithash në Gjeorgji, ku hapësira qytetare po ngushtohet rëndë përmes ligjeve restriktive dhe kufizimeve financiare. Në Azinë Qendrore po përforcohen praktikat autoritare, mbikëqyrja dhe autocenzura, ndërsa në Rajonin e Detit të Zi organizatat e shoqërisë civile po zhvillojnë strategji të ndryshme për mbijetesë dhe përballje me presionet”, tha Durliq.

Jashari: Teknologjia duhet t’u shërbejë njerëzve, e jo e kundërta

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, theksoi se teknologjia duhet të jetë në shërbim të njerëzve, e jo e kundërta, duke theksuar se integriteti mediatik dhe lufta kundër dezinformatave mbeten një ndër prioritetet kryesore.

Ai theksoi se sektori civil po përballet me ndryshime të mëdha, sidomos në aspektin e financimit, i cili vazhdon të jetë sfidë serioze për organizatat në rajon. Në kushte kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e aktiviteteve zhvillohen në hapësirën digjitale, institucionet, sipas tij, ende nuk po ia dalin mbanë ta ndjekin ritmin e zhvillimit teknologjik.

Jashari bëri krahasim mes strukturave institucionale të vjetruara dhe zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, duke thënë se kjo është si të kesh një motor të fuqishëm të instaluar në makinë të vitit 1960. Ai theksoi se pikërisht për këtë është e domosdoshme mbështetja e ndërsjellë, solidariteti dhe bashkëpunimi mes organizatave që përballen me sfida të ngjashme.

Në panel-diskutim morën pjesë edhe Ani Jilozian, eksperte për të drejtat e njeriut dhe bashkëthemeluese e organizatës “Kultura e Re e Drejtësisë” nga Armenia, si dhe Serik Beisembaev, sociolog dhe drejtor i qendrës së pavarur hulumtuese “Paperlab” nga Kazakistani.

Diskutimi e theksoi nevojën për përforcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë civile, mbrojtjen e vlerave demokratike dhe sigurimin e mbështetjes afatgjatë dhe të qëndrueshme për organizatat që punojnë në kushte gjithnjë e më restriktive politike dhe shoqërore.

Konferenca “MEGAPHONE & e-Society 2026” realizohet në kuadër të projektit “Mekanizmi rajonal për mbështetje i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore”, në partneritet me CIVICUS, si pjesë e Nismës për Demokraci Digitale (DDI). Në konferencë marrin pjesë rreth 100 aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, hulumtues dhe ekspertë të të drejtave digjitale nga rajoni.