Ngrohja qendrore do jetë më e lirë për 35 përqind për institucionet dhe kompanitë në Shkup

Për rreth 35 përqind do të ulen faturat e ngrohjes në shkurt për shkollat, bizneset dhe institucionet publike pasi Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) solli vendim të ri për çmimin e ngrohjes, transmeton Portalb.mk.

“Vendimi i jashtëzakonshëm vjen pas një analize të thellë dhe gjithëpërfshirëse të çmimeve aktuale në bursë dhe çmimeve të parashikuara të gazit. Rezultatet treguan se në periudhën e kaluar, çmimi i gazit natyror në bursë ishte më i ulët se sa pritej, gjë që plotëson kushtet për të marrë një vendim të favorshëm për kategorinë e përdoruesve të tjerë, të cilët në periudhën e turbullt të krizës energjetike, morën fatura reale. Për dallim nga amvisëritë të cilat gjatë kësaj periudhe të krizës energjetike i kanë marrë faturat me subvencione”, tha Marko Bislimoski, kryetar i KRRE-së.

Çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup këtë sezon të ngrohjes u shtrenjtua për 4,51%. Sipas përllogaritjeve të KRRE-së, fatura mesatare mujore prej 1.800 denarë është shtrenjtuar për 80 denarë.