Nga sot në NTP Shkup filluan punën 35 shoferë të rinj

Në NTP Shkup prej sot kanë filluar me punë 35 shoferë të rinj, duke e çuar numrin e shoferëve në 623, që është garanci për funksionimin e përditshëm të transportit publik, thonë nga NTP. Deri më tani, siç shtojnë nga kjo ndërmarrje, asnjë vozitës nuk është larguar, përveç atyre që dalin në pension në kushte të rregullta, transmeton Portalb.mk.

Ndërmarrja u bën thirrje përdoruesve të transportit publik që të mos i nënshtrohen përpjekjeve për të përhapur lajme të rreme se “autobusët do të ndalojnë” për shkak të mungesës së kuadrit të shoferëve.

“Përkundrazi, ngadalë por me siguri po përmirësohen kushtet e punës së punonjësve, gjë që është parakusht për ngritjen e cilësisë së transportit publik. Në muajt e fundit, të gjithë punëtorëve të NTP Shkup iu janë rritur pagat dy herë dhe paguhet në afatin e përcaktuar me ligj, përkundër faktit se për herë të parë pas dekadash nuk i ndahen mjetet dhe paguhen NTP-së për standard studentor”, thonë nga ndërmarrja dhe shtojnë se “si asnjëherë më parë po bëhen përpjekje për të përmirësuar atmosferën e punës dhe funksionimin e transportit publik”.

Kujtojmë se transporti publik në Shkup para gati një viti ndodhej në prag të kolapsit pasi transportuesit privatë nuk lëviznin në linjat që ata mbanin, ndërsa autobusët e NTP-së ishin të rrallë.

Nga fillimi i muajit nëntor 2022 autobusët e transportuesit privat “Makekspres” ndërprenë qarkullimin për shkak se NTP-ja dhe Qyteti nuk ua kishin paguar linjat që drejtojnë dhe u kishin borxh rreth gjysmë milioni euro.