Nga pronësia te biletat: Çfarë mangësish zbuloi Revizioni në Teatrin Shqiptar të Shkupit?
Enti Shtetëror i Revizionit në një raport për vitin 2024 ka evidentuar një sërë mangësish dhe dobësish në funksionimin e Institucionit Kombëtar Teatri Shqiptar në Shkup, duke ngritur shqetësime për menaxhimin e pasurisë, organizimin e brendshëm dhe procedurat administrative, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportit, janë konstatuar dobësi në procesin e regjistrimit të mjeteve dhe burimeve të mjeteve, ndërsa institucioni nuk ka vendosur evidencë materiale për mjetet që posedon. Revizorët kanë vërejtur gjithashtu se objektet ndërtimore janë evidentuar pa dokumentacion të rregullt pronësie.
Një nga gjetjet lidhet me faktin se mjete dhe pajisje vazhdojnë të figurojnë si “në përgatitje”, edhe pse për objektin është siguruar leja e përdorimit dhe janë dhënë rekomandime për vënien e tij në funksion. Po ashtu, nuk është përcaktuar mënyra e prokurimit, pranimit, shpërndarjes dhe evidentimit të materialeve dhe inventarit të imët.
Raporti evidenton edhe mangësi në regjistrimin dhe evidentimin e orarit të plotë të punës së të punësuarve, si dhe mosregjistrimin e dokumenteve dalëse në librin e protokollit të institucionit. Një tjetër vërejtje ka të bëjë me mungesën e një akti zyrtar për përcaktimin e çmimeve të biletave.
Në pjesën e theksimit të çështjeve, revizorët kanë ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e parregulluar të shfrytëzimit të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, funksionimin e Këshillit Drejtues pa numrin e anëtarëve të paraparë me ligj, si dhe organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës.
Po ashtu, raporti përmend çështje që lidhen me shfrytëzimin e hapësirës së parkimit të dedikuar për publikun e teatrit, procedurat gjyqësore që janë në zhvillim dhe mënyrën e rregullimit të kompensimeve për qiranë e hapësirave afariste.
Në aspektin sistemor, Enti Shtetëror i Revizionit vlerëson se Ligji për Kulturën nuk përmban mekanizma të qartë për angazhimin e detyrueshëm të ofruesve të shërbimeve në realizimin e programeve vjetore të punës, gjë që paraqet një mangësi ligjore që ndikon në funksionimin e institucioneve kulturore.
Raporti përfundon me rekomandime për tejkalimin e dobësive të konstatuara dhe përmirësimin e menaxhimit, transparencës dhe efikasitetit në punën e Teatrit Shqiptar të Shkupit.
Gjatë vitit 2024, periudhë që i referohet raporti, në krye të këtij institucioni ka qenë Adem Karaga.
Paraprakisht, Revizioni konstatoi parregullsi edhe në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë “Pavel Shatev” dhe në Institutin e Shëndetit Publik.