Revizioni zbuloi kaos në ISHP: Vaksinat s’evidentoheshin në libra, miliona euro borxhe të vjetra mbetën të pambledhura
Në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) nuk ka pasur evidencë të plotë për pranimin dhe shpenzimin e materialeve mjekësore, si dhe nuk është kryer harmonizimi i plotë i të dhënave nga evidenca kontabël dhe ajo materiale me inventarin fizik të materialeve të konsumit. Pranimi dhe shpenzimi i vaksinave nuk janë evidentuar fare në librat afaristë, ndërsa revizioni ka konstatuar dobësi edhe në menaxhimin e stokut, vlera e të cilit në fund të vitit 2024 ka qenë 39,3 milionë denarë, transmeton Portalb.mk.
Kjo thuhet në raportin përfundimtar të Revizionit për pasqyrat financiare dhe përputhshmërinë e punës së ISHP-së për vitin 2024. Auditorët kanë konstatuar një sërë parregullsish në evidentimin e stokut, arkëtimin e kërkesave, realizimin e aktiviteteve programore dhe menaxhimin e pasurisë. Pasqyrat financiare për periudhën e audituar kanë qenë nën përgjegjësinë e drejtorit të atëhershëm mjekësor, prof. dr. Shaban Memeti, i cili e ka ushtruar funksionin deri më 19 korrik 2024, si dhe të ushtrueses aktuale të detyrës së drejtoreshës, bashkëpunëtores shkencore dr. Marija Andonovska, e cila e ka marrë funksionin nga e njëjta datë.
Nuk është mbajtur evidencë e përditësuar për pranimin e materialeve në momentin e dorëzimit të tyre. Në vend të kësaj, mallrat janë evidentuar vetëm pas dorëzimit të faturave. Gjatë vitit 2024 është evidentuar pranimi i mallrave sipas faturave të vitit 2023 në vlerë prej 1,15 milionë denarësh, ndërsa në fillim të vitit 2025 është evidentuar një pranim shtesë prej 1,64 milionë denarësh sipas faturave nga viti paraprak.
Auditorët kanë konstatuar edhe dallime mes evidencës materiale dhe asaj financiare. Gjendja e stokut në evidencën materiale më 31 dhjetor 2024 është paraqitur 487 mijë denarë më e ulët krahasuar me të dhënat në evidencën financiare, gjë që nuk është në përputhje me dispozitat ligjore për kontabilitetin.
Në raport thuhet se inventarizimi i kërkesave nuk është kryer plotësisht, ndërsa për kërkesa në vlerë prej 18,2 milionë denarësh, më të vjetra se tre vjet, nuk janë ndërmarrë veprime për arkëtim. Për më tepër, auditimi paralajmëron edhe për kërkesa të paarkëtuara ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për shërbime shëndetësore të kryera në kuadër të programeve të mbrojtjes shëndetësore në vlerë prej 17,1 milionë denarësh, arkëtimi i të cilave është vlerësuar si i pasigurt.
Përveç dobësive financiare, auditorët kanë konstatuar se një pjesë e aktiviteteve të parashikuara me Programin Kombëtar Vjetor për Shëndetin Publik për vitin 2024 nuk janë realizuar plotësisht. Janë konstatuar gjithashtu parregullsi lidhur me angazhimin e personave me kontratë në vepër, si dhe mospërputhje gjatë dhënies me qira të hapësirave që administrohen nga Instituti.
Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara, Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për personat dhe organet përgjegjëse, me qëllim përmirësimin e menaxhimit financiar, evidencës dhe funksionimit të përgjithshëm të Institutit të Shëndetit Publik.
Kujtojmë se në raportin paraprak, Enti Shtetëror për Revizion gjeti një sërë dobësish dhe parregullsish në menaxhimin financiar, evidencën e mjeteve dhe funksionimin administrativ të Gjykatës Themelore Kumanovë.