Në Galerinë e Arteve në Tetovë sot do të promovohet monografia “Reshat Ameti-35 Vjet Art”
Sot, me fillim nga ora 13:00, në Galerinë e Arteve në Tetovë do të bëhet promovimi i monografisë “Reshat Ameti-35 Vjet Art”, botim i Galerisë së Arteve Tetovë, kushtuar veprës dhe rrugëtimit artistik mbi tre dekada të piktorit Reshat Ameti, shkruan Portalb.mk.
Piktori Reshat Ameti, për Portalb.mk duke folur për rëndësinë e këtij botimi, tha se përmbledhja e 35 viteve krijimtari në një monografi është një proces i natyrshëm në rrugëtimin e një artisti, por njëkohësisht edhe shumë sfidues.
“Në këtë fushë është e zakonshme që periudhat e rëndësishme të krijimtarisë artistike të dokumentohen përmes botimit të monografive, veçanërisht me rastin e përvjetorëve të rëndësishëm, kur bëhet një rikapitullim i rrugëtimit dhe i arritjeve artistike. Edhe unë nuk i jam shmangur këtij standardi. Megjithatë, realizimi i një botimi të tillë është një proces mjaft sfidues. Bëhet fjalë për një rrugëtim të gjatë 35-vjeçar, ndërsa sfida kryesore qëndron në përzgjedhjen e aktiviteteve dhe momenteve më përfaqësuese nga një veprimtari kaq e pasur. Kur numri i ngjarjeve, ekspozitave dhe projekteve është aq i madh, procesi i selektimit bëhet veçanërisht i vështirë. Gjatë këtyre viteve kam realizuar një numër të madh ekspozitash personale, si në vend ashtu edhe në shumë vende të botës. Po ashtu, kam marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm ekspozitash kolektive, bienalesh artistike, simpoziumesh arti, projektesh multimediale dhe manifestimesh të ndryshme kulturore e artistike. Duke pasur parasysh kufizimet që imponon numri i faqeve të një monografie, ka qenë vërtet sfiduese të bëj një përzgjedhje sa më të drejtë dhe përfaqësuese. Megjithatë, besoj se në këtë botim janë përfshirë momentet më domethënëse, ato që pasqyrojnë në mënyrë të përgjithshme dhe autentike rrugëtimin tim artistik përgjatë këtyre 35 viteve të krijimtarisë”, deklaroi Ameti.
Ai theksoi se në monografi janë përfshirë disa nga ciklet më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, të cilat pasqyrojnë zhvillimin artistik dhe kërkimet e tij estetike ndër vite.
“Në këtë monografi janë përfshirë disa nga ciklet e mia më të rëndësishme, të cilat pasqyrojnë kërkimet e mia artistike dhe ecurinë krijuese gjatë këtyre 35 viteve të veprimtarisë sime. Fillimisht paraqitet cikli ‘Gjeometrizmi Lirik’, i cili shënon një fazë të rëndësishme të hulumtimeve të mia formale dhe estetike. Më pas vjen cikli ‘Nga Tradita’, ku frymëzimi buron nga trashëgimia kulturore dhe vlerat e identitetit tonë. Ndërsa cikli ‘Depërtimi i Dritës’ përfaqëson një nga kulmet e kërkimeve të mia artistike, duke reflektuar interesimin tim për raportin ndërmjet dritës, hapësirës dhe përjetimit shpirtëror. Mendoj se këto tri cikle përfaqësojnë më së miri zhvillimin tim artistik dhe fazat kryesore të krijimtarisë sime. Në monografi janë të pranishme edhe cikle të tjera, si ‘Enigma’ dhe ‘Rrethi Urban’, të cilat kanë rëndësinë e tyre në rrugëtimin tim krijues, por janë përfshirë në një masë më të kufizuar”, tha ai.
Sipas Ametit, mesazhi kryesor i monografisë është se arti nuk është vetëm krijimtari vizuale, por edhe përvojë shpirtërore, shumëdimensionale dhe rrugëtim jetësor.
“Besoj se artdashësit dhe njohësit e artit të mirëfilltë, përmes kësaj monografie, përveç mundësisë për të parë në aspektin profesional zhvillimin tim artistik, realizimet e veprave dhe ciklet e ndryshme krijuese, do të mund të perceptojnë se rrugëtimi artistik është një përvojë e jashtëzakonshme, madje do të thosha një përvojë hyjnore dhe shumëdimensionale. Arti më ka dhënë aq shumë gjatë këtyre viteve, saqë kur rikujtoj ngjarjet, takimet, ekspozitat dhe përvojat e shumta që kam përjetuar, ato më duken si një ëndërr e bukur e bërë realitet. Megjithatë, mesazhi kryesor që dëshiroj të përcjell është se secili njeri është i veçantë dhe vjen në këtë jetë me një mision të vetin. Me besim në vetvete, me përkushtim, durim dhe këmbëngulje, është e mundur të arrihen synimet dhe ëndrrat më të mëdha. Prandaj, nuk duhet të dorëzohemi kurrë përballë pengesave apo vështirësive që mund të na largojnë nga rruga drejt realizimit të ëndrrës sonë. Pikërisht besimi në qëllimin tonë dhe puna e vazhdueshme janë forcat që e shndërrojnë ëndrrën në realitet”, u shpreh Ameti.
Duke folur për evoluimin e stilit të tij artistik gjatë këtyre 35 viteve, Ameti tha se zhvillimi i tij ka qenë gradual dhe i natyrshëm, pa kthesa dramatike, por me një koherencë të brendshme mes mendjes, shpirtit dhe aftësisë artistike.
“Evoluimi im artistik ka qenë gradual, pa kthesa dramatike, ndërsa ndryshimet në krijimtari kanë ndodhur në mënyrë të natyrshme. Gjithmonë kam ndjekur një koherencë të brendshme midis mendjes, shpirtit dhe aftësisë sime artistike. Do të doja të theksoja edhe një herë karakteristikat më domethënëse dhe pikat qendrore të angazhimit tim krijues, të cilat janë: 1. Lirizmi, i shprehur përmes gjestit, shenjës dhe materies, i cili dinamizon, frymëzon dhe çliron veprën artistike. 2. Tradita, si element identifikimi, përkatësie dhe vetënjohjeje, si dhe si vlerë estetike dhe kulturore. 3. Drita, si burim jete, spiritualiteti, besimi, dashurie dhe përjetimi të gjithësisë dhe ekzistencës. Teknikat e mia të preferuara janë vaj në pëlhurë, si dhe mediat e përziera, ku përfshihen materiale të ndryshme si letra, tekstili, materiale natyrore, përzierje masash plastike, ngjitës për dru etj. Këto teknika dhe metoda i përdor për të dhënë më shumë puls dhe intensitet në vepër, duke transmetuar energji dhe gjendje të caktuara emocionale. Nga njëra anë ato shërbejnë si mjet shprehës emocional, ndërsa nga ana tjetër roli i tyre vizual ka një rëndësi thelbësore në ndërtimin e strukturës së veprës”, deklaroi piktori Reshat Ameti.
Monografia “Reshat Ameti-35 Vjet Art” vjen si një dokumentim i rëndësishëm i një rrugëtimi të gjatë artistik, duke e vendosur krijimtarinë e Reshat Ametit në një kontekst më të gjerë kulturor, estetik dhe bashkëkohor.