Tentoi ta vrasë gjyshen, nipi përfundoi në paraburgim dhe spital psikiatriik
Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 28-vjeçari, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka tentuar të kryejë veprën penale ‘vrasje’, sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë ushtrimit të dhunës në familje, në shtëpinë ku jetonin së bashku në rrugën “Lavçanska Koria”, i dyshuari ka tentuar t’ia marrë jetën gjyshes së tij”, tha Prokuroria.
Më 17 janar, pasi paraprakisht kishte bllokuar dhe mbyllur derën hyrëse të shtëpisë me një sirtar, ai e ka goditur gruan me duar në kokë dhe trup derisa ajo ka humbur vetëdijen.
Si pasojë e goditjeve, i ka shkaktuar disa lëndime të rënda trupore, gjakderdhje dhe dëmtime në tru, thyerje të brinjëve dhe zhvendosje të eshtrave, me ç’rast jeta e viktimës është vënë në rrezik.
“Pas ngjarjes, i dyshuari është arratisur, por pas një kohe të shkurtër është arrestuar”, tha Prokuroria.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Manastirit propozim për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë që ai të ndikojë mbi dëshmitarë ose të kryejë vepër tjetër penale.
“Njëkohësisht, deklaratat e një pjese të dëshmitarëve tregojnë për ndryshime të fundit në sjelljen dhe gjendjen psikike të të dyshuarit, nga të cilat rrjedh dyshimi se ai mund të vuajë nga ndonjë sëmundje mendore”, tha Prokuroria.
Meqë me mendim profesional është propozuar vëzhgim i mëtejshëm i të dyshuarit, me qëllim që të kryhet vlerësim mjekësor dhe ekspertizë psikiatrike, prokurori publik i ka propozuar gjykatës që, me vendim të posaçëm, pas caktimit të masës së paraburgimit, ta dërgojë të dyshuarin për vëzhgim dhe ekspertizë në Spitalin Psikiatrik Demir Hisar, për një periudhë prej së paku një muaji.